Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra në rrjetet sociale pas kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve për një tjetër rritje të pagave, të dytën brenda tre viteve, përmes Gjykatës Kushtetuese.
Në një postim të gjatë, Rama e cilëson këtë praktikë si “të padëgjuar në historinë e shteteve”, duke theksuar se është e papranueshme që një trup gjyqësor t’ia caktojë vetes pagat përmes sistemit të drejtësisë.
Ai rikujtoi një vendim të ngjashëm të vitit 2022, kur Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën e Unionit për të barazuar pagën bazë të gjyqtarëve me atë të një drejtori departamenti në Kryeministri, duke përfituar një rritje të ndjeshme.
Sipas kreut të qeverisë, pas rritjes së përgjithshme të pagave në administratë në maj të vitit 2023, Unioni i Gjyqtarëve i është drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese me të njëjtën kërkesë, duke synuar një rritje tjetër prej rreth 700 eurosh për gjyqtarët.
Rama akuzon gjyqësorin për një “ndërhyrje skandaloze në kompetencat e ekzekutivit” dhe paralajmëron se ky abuzim nuk do të kalojë më në heshtje, siç ndodhi në rastin e parë.
Ai e sheh këtë si një cënim të drejtpërdrejtë të Kushtetutës, të parimeve të ndarjes së pushteteve, si dhe një rrezik për seriozitetin e Republikës së Shqipërisë.
Postimi i Ramës:
Interesante!
Për herë të dytë brenda tre viteve, Unioni i Gjyqtarëve kërkon sërish rritjen e pagave në gjykatë!
Një praktikë unikale, e padëgjuar dhe e panjohur në historinë e shteteve – që gjyqtarët t’ia caktojnë vetes pagat përmes gjykatës – por që ka ndodhur në Shqipëri, në vitin 2022, kur ky Union kërkoi në Gjykatën Kushtetuese që paga bazë e gjyqtarëve të ekuivalentohej ose me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit të Kryeministrisë ose me një përqindje të pagës së Presidentit, sipas dëshirës së gjyqtarëve.
Dhe Gjykata Kushtetuese e pranoi kërkesën, duke garantuar një pagë bazë të lidhur prej 156.000 lekësh!
Mirëpo kjo ndërhyrje skandaloze e gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit, mesa duket, i ka shijuar Unionit aq shumë, sa pas rritjes së pagave të administratës në maj të vitit 2023, Unioni i Gjyqtarëve tani rikërkon përsëri nga Gjykata rritjen e pagave të gjyqtarëve! Këtë herë, Unioni kërkon që paga bazë të lidhet vetëm me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit në Kryeministri dhe kërkon sërish ndryshimin e ligjit.
Ndërkohë që në vitin 2022 Unioni donte garantimin e një shume bazë pavarësisht çdo llogaritjeje, sot kërkon që, si pasojë e rritjes së pagës së administratës, t’u rritet paga edhe gjyqtarëve – dhe jo pak, por plot 700 euro!
Domethënë, ky Unioni e kuptoka si një privilegj të përjetshëm faktin që për ta mbështetur pavarësinë e gjyqësorit dhe fuqizuar gjykatësit e dalë nga Vetingu, ne me Reformën në Drejtësi i rritëm pagat e sistemit të drejtësisë menjëherë sa për dhjetë vjet njëzetë vjet, duke e thyer me vetëdije piramidën e pagave të Republikës së Shqipërisë! Pra, sipas Unionit kjo republikë do jetë përjetësisht e vetmja në botë, ku gjykatësit nuk do ta lejojnë ngjitjen e piramidës së thyer të pagave, sepse ndryshe nga gjithë bota në Shqipëri pagat e tyre nuk do rriten me qeveri e parlament, po me gjyq!!!…
Tani, unë uroj shumë që shakaja e hidhur e Gjykatës Kushtetuese herën e parë – të cilën ne e pranuam në heshtje si një lajthitje që duhej kapërdirë për hir të respektit me heshtje të një vendimi të gjyqësorit – të mos përsëritet. Sepse heshtja ndaj çfarëdo abuzimi, me mbështetjen tonë për drejtësinë, nuk është më një opsion për ne. Për më tepër, në këtë rast ky do të ishtë një abuzim madhor, shumëdimensional, që do të cënonte shumëkënd e shumëçka, duke nisur nga vetë Kushtetuta dhe serioziteti i Republikës së Shqipërisë./Versus.al







