POLITIKË /

Hakerimi i faqes së Bashkisë nga ‘Homeland Justice’, reagon Anuela Ristani: Ky është sulmi i 15-të

Në një njoftim për mediat, Ristani bëri të ditur se ky është sulmi i 15-të i ngjashëm në vetëm gjashtë muajt e fundit, të kryer, sipas saj, nga hakerë iranianë. Ajo theksoi se sulmet e vazhdueshme përbëjnë një sfidë të re për sigurinë digjitale të institucioneve vendore.

Shkruar nga Versus

Hakerimi i faqes së Bashkisë nga ‘Homeland Justice’,

Kryetarja e Komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka reaguar lidhur me një tjetër sulm kibernetik ndaj sistemit digjital të bashkisë, duke e cilësuar si një nga më të sofistikuarit e regjistruar deri më tani.

Në një njoftim për mediat, Ristani bëri të ditur se ky është sulmi i 15-të i ngjashëm në vetëm gjashtë muajt e fundit, të kryer, sipas saj, nga hakerë iranianë. Ajo theksoi se sulmet e vazhdueshme përbëjnë një sfidë të re për sigurinë digjitale të institucioneve vendore.

“Ky është një realitet i ri dhe i vështirë që kërkon vigjilencë të vazhdueshme dhe masa të avancuara mbrojtëse. Po punojmë për të forcuar më tej infrastrukturën tonë digjitale në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të sigurisë kibernetike,” – u shpreh Ristani.

Autoritetet vendore nuk kanë dhënë ende detaje teknike mbi përmasat e dëmit apo ndërprerjet eventuale të shërbimeve, por theksojnë se po punohet për rikthimin e funksionalitetit të plotë dhe rritjen e mbrojtjes ndaj sulmeve të ngjashme në të ardhmen.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar qytetarë të Tiranës,

Dua t’ju informoj se Bashkia e Tiranës ka qenë së fundmi objekt i një sulmi kibernetik shumë të sofistikuar. Ky është një ndër 15 sulmet e ngjashme që kemi regjistruar vetëm në gjashtë muajt e fundit, duke reflektuar realitetin e ri të kërcënimeve digjitale që përballim çdo ditë.

Sulmi i fundit u realizua përmes komprometimit të një licence origjinale të Microsoft, çka tregon nivelin e lartë të koordinimit dhe sofistikimit të këtij akti.

Dua të theksoj se, edhe pse platforma jonë nuk klasifikohet si infrastrukturë kritike sipas legjislacionit aktual dhe nuk është nën mbikëqyrjen direkte të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për rikuperimin e plotë të sistemeve.

Të gjitha të dhënat janë të paprekura dhe nuk ka humbje informacioni.

Prej 80 serverëve total, 10 prej tyre janë nën vëzhgim.

Aplikacioni i çerdheve dhe kopshteve dhe rikthimi i lidhjes me AKSH-in për shërbimin e lejeve) po kontrollohen në mënyrë rigoroze për të garantuar që nuk ka mbetje malëare-i para se të aktivizohen.

Në këtë fazë, po kalojmë drejt një procesi rehabilitimi dhe forcimi të mëtejshëm të infrastrukturës sonë digjitale, në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të sigurisë.

Ju falënderoj për mirëkuptimin dhe ju siguroj se do të vazhdojmë të punojmë me transparencë dhe përkushtim për të mbrojtur të dhënat dhe interesin e çdo qytetari. /Versus.al/

Poll