Në mbledhjen e nesërme (e hënë) në komisionin parlamentar të hetimit të koncesioneve në shëndetësi (sterilizimi dhe check up-i), i cili është në ditët e fundit të afatit të tij priten të dëshmojnë tre ministra të Qeverisë socialiste.
Bëhet fjalë për ministren aktuale të Shëndetësisë Albana Koçiu, si dhe ministren tjetër Ogerta Manastirliu, që po ashtu kanë drejtuar këtë institucion, të cilat do t’u përgjigjen pyetjeve të deputetëve.
Ndërsa i treti në rradhë do të jetë Shkëlqim Cani, ish ministri i Financave.
Pas tyre do të jenë dhe katër drejtues të tjerë që kanë qenë pjesë e diskutimeve dhe bëhet fjalë për Admir Daci, Arben Daci, Artan Kalleshi, Altin Fani.
Të premten kryetarja e këtij komisioni Albana Vokshi në një deklaratë për mediat bëri me dije se i ka dërguar kryetares së komisionit të Etikës, Klotilda Bushka një kërkesë për lejimin e pjesëmarrjes në mbledhje të deputetëve të përjashtuar nga seancat plenare.
Ajo bëri me dije mes të tjerash, se do të dorëzohet një kallëzim penal në SPAK për deputetin socialist Plarent Ndreca dhe punonjës të Gardës nën akuzën se kanë shpërdoruar detyrën duke mos lejuar vijimin normal të komisionit.
Gjatë mbledhjeve të zhvilluara së fundmi në komisionin hetimor për koncesionet në Shëndetësi, ka pasur mjaft tensione mes deputetëve socialistë e demokratë, aq sa edhe deputeti Erion Braçe edhe pse jo anëtar, hyri në sallën e komisionit dhe u përplas me Vokshin,
Komisioni Hetimor për Shëndetësinë iu dha drita jeshile në Kuvend në muajin mars të këtij viti.
Me 95 vota pro, 71 prej të cilave nga PS dhe vetëm 24 nga pala kërkuese, opozita, u mirartua ngritja e këtij Komisioni.
Ai përbëhet nga kryetarja Albana Vokshi, nën kryetar Plarent Ndreca si dhe 13 anëtarët 7 nga PS dhe 6 nga PD.
Deri më tani lidhur me koncesionin e sterilizimit kanë rënë në pranga ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj pasi akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe mashtrim.
Ndërsa, rezultatet e hetimit për koncesionin e Check Up nuk janë ende të ditura./Versus.al








