Kryeministri Edi Rama, i ftuar në emisionin “Repolitix” në Report TV, deklaroi se afati për mbylljen e negociatave me Bashkimin Europian në vitin 2027 nuk është një premtim personal i tij, por pjesë e një plani të dakordësuar me vetë institucionet e BE-së. Duke iu përgjigjur një pyetjeje të analistit Arjon Sulo, i cili përmendi një deklaratë të ish-kryenegociatorit Zef Mazi se mbyllja e negociatave në 2027 është një “iluzion”, Rama theksoi se kjo është një linjë zyrtare në kalendarin e punës me Brukselin.
“Nuk e them unë se në 2027 do të mbyllim negociatat. Këtë e kemi në tryezë me plan dhe kalendar. Nuk ka asnjë ‘por’. Në tryezë me BE kemi një kalendar të dakordësuar, me rrugën e qartë drejt mbylljes së negociatave brenda vitit 2027”, u shpreh Rama. Ai shtoi se ndryshe nga e kaluara, tashmë dera e BE-së për Shqipërinë është realisht e hapur.
Duke komentuar skepticizmin e Zef Mazit, Rama tha se ai mund të mos jetë i përditësuar me zhvillimet më të fundit, duke nënvizuar se kjo është një fazë e re e procesit të integrimit. “Zefi është miku im, por ndoshta nuk ka informacionin e fundit”, u shpreh kryeministri.
Rama përmendi edhe rastin e Malit të Zi si shembull për të treguar ndryshimin në kontekstin politik të BE-së për zgjerimin: “Mali i Zi i ka nisur negociatat prej vitesh dhe ende nuk i ka mbyllur. Ndërkohë Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm në një kohë shumë të shkurtër.”
Kryeministri theksoi se aktualisht Bashkimi Europian jo vetëm që nuk refuzon më zgjerimin, por e mbështet atë në mënyrë unanime – një ndryshim thelbësor në qëndrimin politik të unionit. /Versus.al/








