
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka folur lidhur me garën brenda Partisë Demokratike duke zbuluar edhe disa prapaskena nga zgjedhjet që u zhvilluan në PD pas humbjes së Bashës në 2021-in përballë Ramës.
Berisha tha se nuk ka ndikuar asnjëherë në zgjedhje, madje zbuloi edhe bisedën që kishte pasur me njërin prej kandidatëve Eduart Selamin. Teksa shtoi se frazën “kurrë mos thuaj kurrë” para gazetarëve ditën e zgjedhjeve e kishte thënë pasi kishte parë se Basha nuk e kishte sensing e dorëheqjes.
“Nëse ju gjeni një njeri të vetëm që unë i kam thënë, mos kandido e keni të drejtë. Ishte një njeri dhe ky ishte Eduart Selami, ish-kryetar i PD. Më erdhi në zyrë në 2017 dhe më tha, Sali unë do të kandidoj. Shumë mirë Eduart i thashë. Po unë nuk kandidoja pa ardhur tek ti. Po ti mund të kandidosh i thashë se, i ke të gjitha të dhënat.
Një këshillë kam unë i thashë, sigurohu që të kesh njerëz që të të përfaqësojnë në qendrat e votimit. Eduarti kandidoi dhe unë nuk bëra asnjë anësim, as tek njeri dhe as tjetri. Pasi humbi Eduarti, ai nisi të thotë se, më tradhtuan. Absolutisht jo. Meqë më thoni, ju nuk e dini votën time. Nuk kam lobuar aspak. Përkundrazi në 2021 ditën e votimit gazetarët që më kanë pyetur, kurrë mos thuaj kurrë.
Nuk e dija se do të më sanksiononin, por e dija se ky nuk kishte sensin e dorëheqjes dhe e dija se, ky nuk e çonte PD përpara, e prandaj kam thënë, ‘kurrë mos thuaj kurrë’, ditën e votimit. Tani humbëm njëherë, humbëm për së dyti kur kishte një klimë të shkëlqyer. Por ky e mbylli fushatën në mënyrën më të dështuar në 32 vite. Kurrë, nuk kisha parë një mbyllje të tillë fushate. Ndërkohë që kundërshtari bënte dy mbyllje, një në sheshin Skënderbej dhe tjetrën në lungomaren e Vlorës”- u shpreh Berisha në Syri Tv. Versus.al








