POLITIKË /

'Çifti nga qyteti' që zgjodhën për të investuar në Zhulat të Gjirokastrës, Rama: 'Paketa e Maleve', mbështetje për turizmin

Shkruar nga Versus

'Çifti nga qyteti' që zgjodhën për të

Fatmiri dhe Fjona janë dy të rinj, që pas thuajse një dekade punë e studime, vendosën të lënë qytetin për të jetuar në fshat. Jo në një të zakontë, por Zhulatin, një fshat që qëndron mes maleve në periferi të Gjirokastrës.

Në podcastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama, ata treguan përpjekjet për të investuar në fshatin me pak banorë, që dikur jetonin paraardhësit e Fatmirit, duke e kthyer shtëpinë e fëmijërisë në qendër pritëse për turistë nga e gjithë bota.

Fatmiri rrëfen në bashkëbisedim me Ramën se si vendosën të kthehen në fshatin e tij të lindjes, në Zhulat pas përfundimit të studimeve në Tiranë së bashku me shoqen e tij, që sot është edhe bashkëshortja, pasi disa vitesh përvojë pune.

Për Fjonën, Zhulati ishte përshkruar si fshati më i bukur në botë nga Fatmiri. Por, kur mbërriti atje u përball me një shtëpi të vjetër, të mbuluar nga bari. Iu desh të ngrinin tendën dhe të flinin mbi tarracë, pasi shtëpia “ishte e frikshme të flije brenda”.

Ata vendosën ta pastronin, të investonin për ta bërë të banueshme dhe sot presin turistë që janë të apasionuar pas natyrës, maleve, pas udhëtimeve e që bëhen pjesë e jetesës së të zotit të bujtinës, duke u përfshirë në punë të shtëpisë, në kopsht, në kuzhinë.

Atyre sot iu janë dorëzuar çelësat e shtëpisë edhe nga shumë banorë të tjerë të fshatit Zhulat, banorë të cilët edhe ata migruan vite më parë drejt Gjirokastrës, Tiranës apo edhe shtegtuan jashtë. Sepse ata besojnë se shtëpinë e mban gjallë jetesa, njerëzit që jetojnë brenda.

"U desh shumë kohë për të marrë vendimin, 5 vjet ndoshta, kemi shkuar disa herë, për ta rikthyer shtëpinë e vjetër në vend ku të paktën mund të flije", tha Fiona.

"Mbasi vendosët të shkonit, kishit një plan për të bërë çfarë?", tha Rama.

Për ta vendosur fshatin në hartën e turizmit, mikpresim njerëz. Pashë që po të hidhje pak energji, pra po të hedhësh pak ushqim diku, mblidhen milingonat, kemi patur fatin të na vijnë njerëz me bicikleta, me kampera, me këmbë dhe rrijnë për një kohë të gjatë. Vijnë bujtin për një kohë të gjatë, një javë një muaj. Kemi patur ndihmën e një platforme, “Workaway”. Njerëzit e tjerë na kanë dhënë celësat e shtëpisë, e shohin si një vëmendje", tha Fatmiri.

I gjithë fshati ka rreth 100 shtëpi, të cilat kanë nevojë më tepër për vëmendje, sesa për ndërhyrje të mëdha. Kryeministri Rama tha se nevojitet një projekt për ta prezantuar këtë fshat dhe se ata mund të gjejnë mbështetje për ta promovuar.

“Ka gjithmonë më shumë kërkesë për këtë lloj turizmi. Ka edhe anën tjetër që në atë zonë turizmi është 12-mujor. Besoj se diçka e bukur do të ndodhë me ju atje. Jam i bindur që Zhulatin do ta bëni një destinacion të njohur për të gjithë shumë shpejt”, tha Rama.

Për turizmin malor, veçanërisht për mbështetjen e kthimit të shtëpive në bujtina për të mirëpritur turistë, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se mbështetjen me  “Paketën e maleve”.

Poll