
Gjatë takimit të tij në asamblenë e PS në Lezhë, kryeministri Edi Rama i qëndroi deklaratave të bëra më herët sa i takon gjendjes ku ndodhet vendi. Sipas tij, rrogat dhe pensionet vijojnë të rriten pa ndalim dhe vendi po ecën me ritëm në procesin e negociatave drejt BE.
Përsa i takon korrupsionit, Rama përsëriti pretendimet si në çdo takim të mbajtur së fundmi duke thënë se korrupsioni nuk ka qenë kurrë më i ulët se kaq në Shqipëri. Madje shtoi se zhurma e madhe që po krijohet rreth kësaj çështje lidhet edhe me luftën në Lindjen e Mesme.
“Të gjithë ata që na janë vënë mbrapa, se nuk mund të them se na janë vënë përballë se nuk kemi njeri, i kemi mbrapa të gjithë këta që na gjëmojnë nga mbrapa dhe që krikojnë një zhurmë shumë të madhe, korrupsioni, korrupsioni. Unë nuk them se e kemi shfarrosur korrupsionin, por them diçka që mund ta faktojnë disa rrugë. E para, kurrë më parë Shqipëria nuk e ka luftuar korrupsionin si në këtë fazë dhe e dyta, korrupsioni është më i ulët se kurrë më parë. Zhurma është më e madhe patjetër. Dhe është më madhe edhe nga lufta që çdo gjë amplifikohet në të gjitha rrugët e keqinformimit”- u shpreh Rama duke e lidhur situatën në vend me luftën që zhvillohet mijëra kilometra larg. Versus.al

