POLITIKË /

“Java e trishtë e 21 janarit”, Rama: Plagë e hapur për familjarët dhe drejtësinë, shpresoj që SPAK të bëjë punën!

Kryeministri Edi Rama kujtoi sërish në podcastin e tij 21 janarin, 15 vjet pas vrasjes së katër protestuesve të pafajshëm, duke e cilësuar ngjarjen si një njollë për drejtësinë shqiptare dhe shprehu shpresën që SPAK-u të zbardhë këtë krim dhe të vendosë drejtësinë.

Shkruar nga Versus
“Java e trishtë e 21 janarit”, Rama: Plagë e hapur
Edi Rama

Në episodin e podcastit të tij “Flasim”, kryeministri Edi Rama kujtoi ngjarjet e 21 janarit, 15 vjet pas vrasjes së katër protestuesve të pafajshëm në Tiranë, duke e cilësuar si një “njollë për drejtësinë shqiptare”.

Rama tha se kjo mbetet një plagë e hapur për familjarët e dëshmorëve dhe për moralin e shtetit, duke theksuar se koha nuk fshin kujtimet dhe rëndësinë e kërkimit të drejtësisë.

Ai nënvizoi ritin e nderimit për të katër dëshmorët e Atdheut dhe shprehu shpresën që SPAK-u, pas 6 vitesh veprim, të veprojë për të zbardhur këtë krim, duke vendosur drejtësinë në binarët e rinj të barazisë para ligji.

Rama: Kjo ishte edhe java e trishtë e 21 janarit, 15 vjet pas krimit shtetëror, vrasjes së katër burrave të pafajshëm protestues, me pushkët e shtetit, në boulevard. Përsëri 21 janari erdhi me hijen përqeshëse të padrejtësisë. Kjo mbetet një plagë e hapur jo vetëm për familjarët e dëshmorëve, por edhe për moralin e drejtësisë dhe themelet e drejtësisë së shtetit shqiptar.

Ne përsëri u mblodhëm dhe e bëmë ritin e nderimit të 4 dëshmorëve të Atdheut, në prani të familjarëve që presin drejtësi.

21 janari është në llojin e atyre krimeve që e kam thënë, krime për të cilat drejtësia vonon, por asnjëherë nuk harron.

Koha nuk i zhbën dot nga kujtesa dhe tryeza e njerëzve të drejtësisë. Uroj e shpresoj që SPAK-u, që prej 6 vjetësh ka marrë jetë, gëzon mbështetjen e padiskutueshme dhe ka pasur gjatë gjithë kohës inkurajimet më të sinqerta për të shkuar përpara, për të luftuar për të vendosur drejtësi në binarët e rinj të barazisë para ligjit, të zgjohet dhe të bëjë më në fund punën e vet mbi këtë krim, që është njollë për drejtësinë shqiptare./Versus.al

Poll