
Kryedemokrati Sali Berisha zhvilloi ditën e sotme një bashkëbisedime me ndjekësit në rrjetet sociale ku edhe shpjegoi frazën e përdorur prej tij ‘’kilometri i fundit’’. Berisha tha se e përdor për të treguar se janë në finalen e përplasjes me PS pas betejave të kaluara brenda partisë dhe denoncimin e asaj që e quajti ‘’farsa zgjedhore’’.
Ndërsa gjatë fjalës së tij nuk ngurroi të përmendte as Lulzim Bashën duke thënë se ky i fundit donte që PD të shndërrohej në një parti ‘simotër’ të PS.
“Dua të bëj me këtë rast një sqarim, lidhur me shprehjen time, kilometri i fundit. E kam thënë me bindje të plotë dhe e them përsëri se jemi në kilometrin e fundit. Cili ka qenë dhe cili është kuptimi i kësaj fraze, apo këtij koncepti.
Kuptimi është ky që vijon: Ne si opozitë në vitin 2021 ishim parashikuar nga Lulzim Brava dhe jo vetëm nga Lulzim Brava, por dhe nga të tjerë të ishim simotër e PS-së në qeveri. Kjo është e vërteta, unë e kam publike prej kohësh këtë propozim, çka do ishte drama më e madhe për këtë vend.
Pasi kjo nuk realizua, u kalua në një seri masash të tjera, nga Edi Rama armik i egër i pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri, por dhe mafia ndërkombëtare e Xhorxh Sorosit, armike e egër e demokracisë shqiptare por dhe e kombit shqiptar, e cila kishte te PD një kundërshtare të paepur të projekteve të tij antishqiptare, qoftë në ndryshimin e kufijve dhe copëtimin e Kosovës, qoftë në Ballkanin e Hapur, qoftë në denoncimin e organizatave kriminale të ekstremit të majtë, të spronsorizuara prej tij në Shqipëri.
Pra kjo ishte një betejë që ne duhej ta bënim dhe ne e bëmë këtë betejë.
Në këtë betejë siç e di ti, u mor logoja dhe flamuri i partisë, u morë simbolet e saj nga gjykatës puthadorë, armiq të pluralizmit nën ndikimin direkt të Ramës dhe faktorëve Sorosianë në administratën e presidenti Joe Biden. Por përsëri ne ia dolëm, të rikthejmë me veprimet tona, ne ja dolëm.
Prap kishim kilometra për të bërë sepse, për fat të keq, në vitin 2021, kur zgjedhjet u faktuan farsë dhe unë e kam thënë që të pasnesërmen e tyre, në shkrimin tim, ‘Vota vdiq pa hyrë në kuti’, ish kryetari në vend që të mbronte votën e qytetarëve, ai sulmoi Sali Berishën së bashku me Edi Ramën dhe vraponte drejt koalicionit me këtë të fundit.
Pra ne ja dolëm që me librin e zi të zgjedhjeve lokale të 2023, të penalizojmë Edi Ramën, ta paraqesim para botës, jo vetëm si autori i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, por si njeriu i farsës së zezë elektorale. Dhe mbi këtë bazë, prap jemi në kilometra rrugë, u miratuan 4 rezoluta ndërkombëtare që dënonin farsën elektorale në Shqipëri dhe paralajmëronin farsën e 11 majit", tha Berisha. Versus.al

