POLITIKË /

Kalaja ikën nga partia dhe "shpërthen" ndaj Tabakut: Nuk kam pse të luftoj Ramën, kur e kemi brenda PD-së

Kalaja thekson se procesi i primareve ishte një skandal, për të cilin nuk u mor asnjë masë.

Shkruar nga Versus

 

Kalaja ikën nga partia dhe "shpërthen" ndaj Tabakut: Nuk kam

Adriana Kalaja, kryetare e Komisionit të Apelimit në Partinë Demokratike dhe ish-kandidate për deputete në qarkun e Tiranës, ka paralajmëruar largimin e saj nga PD. Në një mesazh të dërguar në grupin e njësisë nr. 8 në platformën WhatsApp, Kalaja ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin e degës, duke denoncuar atë që e quan “farsë dhe tallje me demokratët”.

Kalaja thekson se procesi i primareve ishte një skandal, për të cilin nuk u mor asnjë masë. Ajo ka akuzuar drejtpërdrejt figura brenda PD-së, përfshirë Shkëlqim Hoxhën, të cilin e quan “një i ngjashëm me Ramën që vjedh votat brenda partisë”, dhe Jorida Tabakun, të cilën e përmend me një nofkë përçmuese “Sude Tabaku”, duke e akuzuar për manipulim votash me mbështetjen e “regjimit Rama”.

Sipas Kalasë, demokratët po përballen me të njëjtin realitet të zhgënjimit dhe parashikon se nëse nuk ndryshohet kursi, e njëjta situatë do të përsëritet edhe në vitin 2029. Ajo i kërkon PD-së të bëjë një analizë të brendshme serioze, ku të merren përsipër jo vetëm përgjegjësitë, por edhe zgjidhjet reale.

Në fund të mesazhit, Kalaja thekson se nuk do të rikthehet në PD pa një riorganizim të thellë nga Sali Berisha, të cilin e konsideron ende si pikë reference për ringritjen e partisë. Ajo kërkon që organizimi i PD-së të mos bazohet më në miqësi dhe qoka, por në kontributet dhe meritat individuale.

Ky paralajmërim i Kalasë vjen në një moment të vështirë për Partinë Demokratike, që pas zgjedhjeve vendore të 11 majit, ku ajo vetë ka qenë kritike ndaj mënyrës së menaxhimit të brendshëm të partisë dhe përzgjedhjes së kandidatëve. 

Mesazhi i Adriana Kalasë:

Pershendetje njerez te mire.

Duke Ju falenderuar per gjithe kontributin dhe perkushtimin Tuaj ne keto zgjedhje dhe jo vetem, une kam vendosur te mos mar pjese ne takimin e sotem. Pa mohuar se perulem para punes dhe mbeshtetjes te secilit prej Jush, nisur nga fakti se une politiken e shoh si moral dhe se i jam bashkuar Berishes qe me 19 maj 2021 pa asnje interes dhe pa asnje perfitim nga 8 vite te pushtetit te tij, gjykoj se farsa po vijon dhe tallja me demokratet po ashtu.

Arsyetoj se duke mos hequr dore nga denoncimi i masakres zgjedhore, nese nuk fillojme analizen nga vetja, duke mare jo vetem pergjegjesite por edhe zgjidhjen, pasi çfare ndodhi e dinim dhe e kemi pare edhe ne zgjedhje te tjera, ne do shohim te njejtin skenar edhe ne 2029 se prandaj piksynimi Rames, eshte Shqiperia 2030. Nderkohe, pa hyre ne skandalin qe ndodhi me primaret e ku nuk u mor asnje mase, argumentoj se nuk legjitimohem te ngrihem kundra banditit Rama, kur nje i ngjashmi i tij si Shkelqim Hoxha, me vjedh votat brenda partise.

Nuk mund te flas kunder Sara Miles e Sudeve te PS, kur Sude Tabakut ja mbushen kutite me vota regjimi i Edi Rames.
Normal me barbarine e Kodit te propozuar nga disa deshtake qe Berisha i beri deputete e askush nuk mban pergjegjesi, por mbi te gjitha me mosreagimin e Berishes dhe strukturave drejtuese per te parandaluar nje konflikt te brendshem qe na çoi drejt humbjes. Per te mos thene me bekimin e tyre (disave).

Ndaj, duke Ju kerkuar edhe njehere ndjese nga thellesia zemres dhe duke shprehur mirenjohjen time per secilin prej Jush, nuk mund te vijoj te behem pjese e nje teatri absurd. Minimalisht, te gjithe neve qe kontribuam per mandatet e atyre qe na zgerdhine ne hu e ne gaz, qe çfare nuk na akuzuan, duhet te na kerkohet falje. Do rikthehem te kontriboj njesoj ne PD, kur Berisha te riorganizoje nga e para PD, jo bazuar ne miqesira e qoka, por ne kontributet dhe meritat e gjithe secilit. Deri atehere, uroj me te mirat per Ju dhe familjet Tuaja. /Versus.al/

 

Poll