POLITIKË /

Kriza që nuk erdhi dhe opozita që u përplas me veten

Sipas analistit, edhe vetë Balluku nxiti një normalitet në procesin e vendimmarrjes së GJK duke mbajtur një profil të ulët për të bashkëpunuar kështu me drejtësinë.

Shkruar nga Versus
Kriza që nuk erdhi dhe opozita që u përplas me veten
Kreu i PD, Sali Berisha në një prej foltoreve para kryeministrisë

Analisti, Ardit Rada ka bërë një analizë të situatës politike në vend duke komentuar edhe përpjekjen e opozitës e cila sipas tij është përpjekur ta mbajë opinionin publik nën presion duke u mbështetur në procese që lidhen me drejtësinë, qeverisjen dhe kuvendin.

Në analizën e tij, Rada thekson se pavarësisht se u bënë përpjekje që të krijohej ideja sikur vendi është në krizë dhe se drejtësia do të përballej me presione të forta politike, një gjë e tillë nuk ndodhi. Duke marrë në shqyrtim vendimin e Kushtetueses që e riktheu në detyrë zv.kryeministren Belinda Balluku, analisti nënvizon se kjo tregoi se shteti është në një fazë ku respektohen rregullat dhe jo kërkesat politike, ndërkohë që numri dy i qeverisë mbajti një profil të ulët për të bashkëpunuar me drejtësinë.

Me rikthimin në detyrë të Ballukut, analisti shton se tashmë qeveria funksionon normalisht dhe merr fund bllokimi i disa proceseve të rëndësishme për vendin.  

“Vendimi i djeshëm i GJK-së nuk jep vetëm drejtësi për Ballukun, por e kthen ekzekutivin në funksionimin normal për të cilin është zgjedhur. Me kthimin në detyrë të zv.Kryeministres merr fund bllokimi i disa proceseve të rëndësishme, por edhe i institucioneve që prej pak kohësh janë pa titullarë, si ARRSH, KESH etj. Ky shqetësim ishte shprehur më parë nga vetë Rama, i cili tha se me një minister të pezulluar nuk mund të bëhen emërime të rëndësishme. Dhe në fund të ditës, ajo që ndodhi dje është një goditje për narrativën konfliktuale të opozitës dhe një fitore për funksionimin normal të shtetit”- shkruan ndër rreshta.

Shkrimi i plotë nga Ardit Rada:

Opozita është përpjekur që për rreth dy muaj, ta mbajë opinionin nën presion për disa procese paralele që lidhen me drejtësinë, qeverisjen dhe Kuvendin. Debati për kryetarin e ri të SPAK, zgjedhja e Avokatit të Popullit dhe përplasjet politike rreth çështjes së zv.kryeministres Balluku ishin pikat ku PD e Sali Berishës u përpoq ta kanalizonte debatin. Herë duke u shfaqur si viktimë e herë si shpëtimtare e vendit. Ndërkohë që u krijua ideja se vendi ndodhej në prag të një krize institucionale, se “diçka e madhe” do të ndodhte, se drejtësia do të përballej me presione apo përplasje të forta politike, asgjë nga këto nuk ndodhi.

Përkundrazi, të dy proceset prodhuan një normalitet që rrallëherë e kemi parë në Shqipëri. Ndërsa krizat e bujshme i mbeten sërish PD-së në derë, së pari për përplasjet mes Ervin Salianjit dhe lidershipit të partisë së tij. Së dyti, për skandalin me firmat ndaj Endrit Shabanit si Avokat i Popullit dhe justifikimet sa të turpshme aq edhe qesharake të Grupit Parlamentar të PD.

Ditën e djeshme Gjykata Kushtetuese tregoi se funksionon si institucion dhe jo si arenë politike. E aq më pak se ndikohet nga ndonjë presion. Është e njëjta gjykatë që më herët ka rrëzuar Edi Ramën për çështjen Veliaj, teksa këtë herë konfirmoi përmes vendimit për Belinda Ballukun se shteti ka hyrë në një fazë ku rregullat respektohen dhe proceset nuk zgjidhen më sipas orekseve të politikës. Ky normalitet duhet thënë se u nxit edhe nga vetë Balluku, e cila mbajti një profil të ulët gjatë fazës së shqyrtimit nga Kushtetuesja, por edhe thirrjet e mëparshme të saj për bashkëpunim me drejtësinë dhe mbështetje ndaj saj.

Shoqëria shqiptare sot kërkon qetësi, jo kaos dhe duket se ky ka qenë mësazhi që Balluku ka dashur të përcjellë me qendrimet e saj. Sepse në të kundërt, askush s’e ndalonte t’i përvishej drejtësisë dhe të prodhonte një konflikt permanent si Sali Berisha. Ky është një standard i ri politik që duhet ndjekur: drejtësia lihet të bëjë punën e saj, pa ndërhyrje, pa teatër dhe pa presion politik.

Edhe zgjedhja e Klodian Brahos në krye të SPAK ishte një proces i parashikueshëm për aq kohë sa mbështetja ndërkombëtare për të ishte e ditur dhe kjo nuk përbën as skandal, as surprizë, e vetmja pyetje qe ka lindur ne opinion eshte pse shteti sillet sikur ka mizen nen kesule e pse ne ate salle te mbushur me ambasadore qe nuk kane asgje ne terezi ne vendet e tyre, mungonte ne rresht te pare Ministri i Drejtesise, Drejtuesja e SHISH , Kryetari i KED, Ministja Antikorrupsion , Perfaqesuesi i Presidences etj.  Për herë të parë, drejtësia nuk u prodhua nga pazare politike, por nga një balancë e qartë mes ligjit dhe garancive të kumbarëve të drejtësisë së re.

Vendimi i djeshëm i GJK-së nuk jep vetëm drejtësi për Ballukun, por e kthen ekzekutivin në funksionimin normal për të cilin është zgjedhur. Me kthimin në detyrë të zv.Kryeministres merr fund bllokimi i disa proceseve të rëndësishme, por edhe i institucioneve që prej pak kohësh janë pa titullarë, si ARRSH, KESH etj. Ky shqetësim ishte shprehur më parë nga vetë Rama, i cili tha se me një minister të pezulluar nuk mund të bëhen emërime të rëndësishme. Dhe në fund të ditës, ajo që ndodhi dje është një goditje për narrativën konfliktuale të opozitës dhe një fitore për funksionimin normal të shtetit.

Sot shqetësimi për opozitarët është fakti se PD duket se e ka braktisur protestën si mjet demokratik. Së pari kauzat që priste të përdorte, nga Balluku tek SPAK-u, ngjajnë si karta të djegura në duart e Berishës. Dhe së dyti, tentative e Lapajt për të protestuar mund ta çojë në përplasje në terren PD-në më aktivistët e ‘Shqipëria bëhet’. Jo për ndonjë arsye taktike, por ndoshta për t’i nxjerrë inatin që kanë me Salianjin. Megjithatë Gaz Bardhi e ka në dorë skenarin që do t’u diktojë të tijëve, pasi PD-në tashmë e ka Gazi dhe jo Berisha, si pretendon dinosauri i fundit politik i tranzicionit, të cilit perveç orës biologjike, po i mbaron dhe rëra në orën politike dhe Gazi di mirë ta kthejë gjithçka në estradë siç e ktheu PD-në  javën e fundit për firmat e Shabanit dhe vetë e mori një javë pushim. Versus.al

Poll