
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur ditën e sotme për takimin që zhvilloi më kreun Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns para një jave, i cili ndaloi në Prishtinë pas dy vizitave të befasishme në Bosnje Hercegovinë e Serbi.
Kurti u shpreh se kishte mbetur mjaft i kënaqur nga takimi dhe ndihej falenderues ndaj shefit të CIA-s për vizitën në Kosovë.
Ai e përshkroi takimin si dëshmi të përshkushtimit të SHBA-së ndaj sigurisë së Kosovës.
“Takimi shkoi shumë mirë. Natyrisht që ne kemi bashkëpunim me SHBA-të dhe këtë institucion të rëndësishëm të inteligjencës dhe sigurisë përmes Agjencisë tonë të Inteligjencës. Unë e falënderoj shefin e CIA-s që vizitoi vendin tonë, dhe kjo është dëshmi tjetër e angazhimit të Shteteve të Bashkuara për sigurinë dhe parandalimin e çfarëdo kërcënimi të sigurisë për republikën tonë në kuadër të marrëdhënieve bilaterale me ShBA-të dhe të paqes dhe stabilitetit dhe sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor”, ishte komenti i Kurtit.
William Burns qëndroi dy ditë në Kosovë, kohë gjatë së cilës zhvilloi takime me krerët shtetërorë dhe ata të shërbimeve vendase të inteligjencës./ Versus.al








