Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka shprehur shqetësimin e Shqipërisë për përshkallëzimin e tensioneve mes Izraelit dhe Iranit, gjatë një deklarate për shtyp të mbajtur pas përfundimit të ministerialit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).
“Ky konflikt ka pasoja serioze në Lindjen e Mesme dhe më gjerë. Shqipëria riafirmon të drejtën e Izraelit për sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve të vet”, u shpreh Presidenti Begaj.
Kreu i shtetit shqiptar i bëri thirrje Iranit të ndalojë programet bërthamore dhe balistike, duke e ftuar të respektojë detyrimet ndërkombëtare, përfshirë Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).
Deklarata vjen në një moment kritik për zhvillimet në Lindjen e Mesme, me përplasjet mes Izraelit dhe Iranit që kanë tërhequr vëmendjen dhe shqetësimin e komunitetit ndërkombëtar.
Shqipëria mbyll presidencën e SEECP
Presidenti Begaj mikpriti në Tiranë homologët nga Europa Juglindore, në kuadër të samitit të SEECP, i cili përmbylli presidencën njëvjeçare të Shqipërisë në këtë proces rajonal.
Tema e sesionit plenar ishte: “Nxitja e Stabilitetit dhe Prosperitetit përmes Bashkëpunimit Rajonal dhe Integrimit në BE”. /Versus.al







