Kryeministri Edi Rama komentoi zgjedhjen e Rigels Rajkut, të njohur si Noizy, për të kënduar këngën e fushatës së Partisë Socialiste, një reper që njihet për tesktet me dhunë. Vendim ky, në një kohë kur qeveria e drejtuar prej tij bllokoi aksesin në rrjetin social TikTok pikërisht për shkak të videove të dhunshme që promovohen aty.
“Ai nuk është personi, ai është personazhi. Pra personazhi paraqitet në atë rrymë muzikore e cila ka ato karakteristika. Dhe ne nuk jemi akoma një vend ku t’iu mbyllim gojën këngëtarëve. Për mua pala tjetër ka vetëm një melodi, që është kua-kua-kua, melodia e kënetës. Ndërkohë që për sa i përket personit, është një njeri që nuk e njoh fare për të dhunshëm, por një djalë shumë i talentuar, por krejtësisht i këndshëm në bisedë. S’kam parë asgjë tjetër veç tyre”, - tha Rama.
I pyetur nëse do të kërkonte mbylljen e TikTok nëse do të kishte qenë në opozitë, Rama u përgjigj: “E mbyllëm TikTok me kërkesën e 95% të prindërve dhe mësuesve të Republikës së Shqipërisë”. Komentet i bërinë “Off the Record” me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN.








