POLITIKË /

Mori lejen për t'u betuar si eurodeputet i Greqisë, Fredi Beleri udhëton “i lirë” drejt Parlamentit Europian

Leja e Belerit do të jetë 5 ditore që pas nisjes së tij të hënën në orën 10:00.

Shkruar nga Versus
Mori lejen për t'u betuar si eurodeputet i Greqisë, Fredi Beleri
Fredi Beleri

Fredi Beleri, i dënuar me 2 vite burg për blerje votash në zgjedhjet lokale në Himarë, ka marrë leje nga Drejtoria e Burgjeve për t’u betuar si eurodeputet i Greqisë në Parlamentin Europian.

Seanca në Parlamentin Europian do të mbahet më 16 korrik. Mësohet se Beleri do të udhëtojë drejt Brukselit i pashoqëruar nga efektivët e burgjeve.

Për të bërë të mundur një lëvizje të tillë, autoritetet vendase kanë kërkuar të gjithë dokumentacionet si bileta vajtje-ardhje e Belerit, qëndrimi në hotel etj. Gjithashtu i është kërkuar që nëse do t’i duhet më shumë kohë për të përmbushur procedurat e betimit në Bruksel, duhet të njoftojë autoritetet vendase shqiptare dhe ato të Brukselit.

Leja për Belerin do jetë 5 ditore. Të hënën në orën 10:00, do të niset drejt Brukselit dhe pasi të përfundojë procedurat e betimit, do të rikthehet në qelinë e tij në burgun e Fierit.

Më 10 qershor, në zgjedhjet që u bënë në Greqi Beleri u zgjodh eurodeputet si kandidat në listën e subjektit “Demokracia e re”, partia e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.

Beleri ndodhet pas hekurave që prej 12 majit të vitit të kaluar pasi u arrestua në flagrancë duke blerë 8 vota kundrejt shumës së 40 mijë lekëve. Rezutlatet e zgjedhjeve e nxorrën atë fitues, por nuk u la të bënte betimin. Ndërsa pak ditë më parë, KQZ i hoqi mandatin e kryebashkiakut të zgjedhur dhe presidenti Bajram Begaj shpalli 4 gushtin si datën për zgjedhjet e parakohshme për bashkinë e Himarës. Versus.al

Poll