Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi u paraqit sot në GJKKO në zbatim të masës së sigurisë të caktuar ndaj saj. Ndërsa në dalje dha edhe një deklaratë për mediat, me tone të ashpra ndaj zyrtarëve të PL të cilët nuk i përmendi me emra, por i cilësoi si “mercenarë”.
Sipas saj, janë përhapur thashetheme se ajo po bën fushatë për PS, por në fakt theksoi përkushtimin e saj së bashku me fëmijët për të grumbulluar vota për Metën.
“Me paturpësinë më të madhe u thonë mos dëgjoni Monikën dhe vjen dhe kërkon votë për PS si pasojë e paaftësisë së tyre për të shkuar derë më derë për të mbledhur vota. U bëj thirre të gjithë ish-anëtarëve të LSI apo atyre aktualë të PL, të votojnë Ilir Metën. Se çfarë thonë mercenarët e Partisë së Lirisë, i lini mënjanë. Hyni dhe shihni kush merr rrogë te PL, ata janë mercenarët”- u shpreh Kryemadhi.
Sipas saj, pavarësisht se në burg, Meta ka angazhuar njerëzit e afërt për të pasur një fushatë sa më të frytshme, duke marrë parasysh se garon në listën e hapur.
“Dalja e Metës në listë të hapur tregoi se ka vendim politik për të unifikuar votën dhe për të çuar sa më shumë vota në kutinë e votimit. Është problematike sepse kisha bërë plan të mos merresha fare, por të gjithë njerëzit që kanë një lloj historiku me të, i ka nxitur të dalin në fushatë për të”- shtoi deputetja.
Më tej, ligjvënësja tha se arrestimi i dhunshëm i Ilir Metës u urdhërua nga ish-ambasadorja e SHBA, Yuri Kim e cila sipas saj kishte inate personale me ish-presidentin.
“Patjetër që është morale të garojë sidomos në këtë sistem ku jemi sot. Ne kemi bërë një sistem për të dhënë drejtësi, jo për të burgosur njerëz të ndershëm. Ne kemi parë edhe McGoigal që u arrestua vetëm pas vendimit. Jam e bindur se arrestimi i Metës është bërë me urdhër të një gruaje që ka pasur inate personale me të, Yuri Kim që sot është askushi dhe atëherë u premtoi parajësën institucioneve të drejtësisë”- argumentoi Kryemadhi. Versus.al








