Procesi i numërimit të votave të diasporës për qarkun e Lezhës ka përfunduar pas një atmosfere të tensionuar në ambientet e Parkut Olimpik në Tiranë. Partia Demokratike ka arritur të ruajë mandatin në këtë qark, pavarësisht përplasjes së fortë politike që shoqëroi numërimin e kutisë së fundit të ardhur nga Greqia.
Në momentet e fundit të procesit, u regjistruan debate të ashpra mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, përplaset verbalisht me përfaqësuesin e PD-së, Belind Këlliçi, dhe ish-anëtarin e KQZ-së, Gjin Gjoni. Sipas dëshmitarëve, Manja iu drejtua Gjonit me një paralajmërim të ashpër:
“Kujdes, ta kam falur njëherë!”
Debati nisi pasi përfaqësuesit e opozitës ngritën dyshime për rregullsinë e disa votave, duke kërkuar transparencë të plotë në procedurë. Përplasja kulmoi kur u shpall rezultati final i kutisë së fundit, ku Partia Demokratike rezultoi fituese me një diferencë të ngushtë.Belind Këlliçi, në një deklaratë për media jashtë sallës, u shpreh:
“PD e ka fituar me votë të pastër këtë mandat. Pavarësisht përpjekjeve për presion dhe tensione, qytetarët e Lezhës dhe diaspora kanë folur qartë.”
Nga ana tjetër, përfaqësues të PS-së nuk kanë bërë ende një deklaratë zyrtare, por burime pranë tyre e cilësojnë procesin si “të rregullt” dhe i bëjnë thirrje opozitës të shmangë retorikën përçarëse.
Votat e diasporës, veçanërisht ato të ardhura nga Greqia, kanë qenë vendimtare në disa qarqe, me Lezhën ndër më të ndjeshmet për nga balanca e forcave politike në parlamentin e ri. /Versus.al/







