Pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të 11 majit, ku Partia Demokratike pësoi një humbje të thellë në qarkun e Fierit, Gazment Bardhi, drejtuesi politik i PD-së për këtë zonë, ka reaguar publikisht përmes një statusi në rrjetet sociale, duke dhënë versionin e tij për shkaqet e disfatës.
Në deklaratën e tij, Bardhi nuk e fshehu zhgënjimin, por theksoi se shkaqet e humbjes nuk lidhen me mungesën e përpjekjes nga opozita, por me një “strukturë të organizuar qeveritare” që sipas tij përdori çdo mjet për të mbajtur pushtetin.
“Përballë kishim një bandë ministrash, drejtorësh të korruptuar dhe përfaqësues të krimit të organizuar që përdorën çdo burim të shtetit për të blerë votën dhe për të frikësuar qytetarët,” – shkruan Bardhi në statusin e tij.
Ai akuzoi qeverinë se ka ndërhyrë në mënyrë sistematike në procesin zgjedhor dhe se rezultati nuk është pasqyrë e vullnetit të lirë të qytetarëve, por i një “makinerie të deformimit të demokracisë”.
Pavarësisht humbjes, Bardhi tha se ai dhe opozita nuk do të tërhiqen.
“Ne do të qëndrojmë të panënshtruar, sepse Shqipëria ka nevojë për njerëz të lirë. Kjo betejë nuk ka përfunduar me 11 majin. Ajo sapo ka filluar,” – u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se opozita do të vijojë presionin ndaj mazhorancës dhe denoncimin e abuzimeve të saj.
Ky reagim vjen në një kohë kur Partia Socialiste ka fituar bindshëm në Fier, duke siguruar shumicën e mandateve në këtë qark, përfshirë edhe mandatin e Zegjine Çaushit, e cila ka spikatur për replikat e ashpra ndaj Bardhit gjatë fushatës dhe në seancat e para të Kuvendit. /Versus.al/







