Romina Kuko, kandidatja e listës së sigurt të Partisë Socialiste në Qarkun e Korçës, ka dhënë dorëheqjen nga posti i saj si zëvendësministre e Brendshme, pasi u shpall fituese e mandatit të deputetes në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Dorëheqja e saj është bërë zyrtare përmes një kërkese drejtuar Kryeministrit Edi Rama dhe, për dijeni, Kryekomisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Në këtë dokument, Kuko shpreh falënderime për besimin dhe mundësinë që i është dhënë për të shërbyer në një nga institucionet më të rëndësishme të ekzekutivit.
“Ka qenë një privilegj të jem pjesë e Ministrisë së Brendshme dhe të kontribuoj në forcimin e rendit dhe sigurisë publike. Me përgjegjësi të reja përpara, i jap fund kësaj detyre për t’i shërbyer qytetarëve në një rol të ri si përfaqësuese në Kuvend,” është shprehur Kuko në letrën e dorëheqjes.
Me largimin e saj nga ekzekutivi, Kuko i hap rrugë uljes në Kuvend si pjesë e grupit parlamentar të mazhorancës për mandatin e ardhshëm. Ajo pritet të jetë një nga zërat e spikatur të Partisë Socialiste në përfaqësimin e Qarkut të Korçës.
Sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 11 majit, Partia Socialiste ka siguruar 6 mandate në Qarkun e Korçës, ndërsa Partia Demokratike ka fituar 5 mandate, duke ruajtur një balancë të fortë politike në këtë qark të rëndësishëm elektoral. /Versus.al/







