Për herë të parë që prej anëtarësimit në NATO në vitin 2009, Shqipëria do të mirëpresë në vitin 2027 Samitin e liderëve të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Vendimi u zyrtarizua gjatë samitit të NATO-s të mbajtur në Hagë të Holandës, ku delegacioni shqiptar u kryesua nga Kryeministri Edi Rama.
Në deklaratën përfundimtare të samitit, Shqipëria përmendet si vendi pritës për samitin e vitit 2027, pas atij që do të mbahet në Turqi në vitin 2026. “U shpreh falënderim për mikpritjen bujare të Mbretërisë së Holandës, ndërsa u konfirmua se samiti i radhës do të mbahet në Turqi në vitin 2026, i pasuar nga një samit tjetër në Shqipëri”, thuhet në dokument.
Ky është një moment historik për Shqipërinë, e cila do të mirëpresë në Tiranë liderët e vendeve më të fuqishme të botës, përfshirë edhe Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili me rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë ka marrë një rol udhëheqës në forcimin e Aleancës.
Vendimi për të organizuar samitin në Tiranë vjen pas përpjekjeve të gjata diplomatike të qeverisë shqiptare. Kryeministri Rama e kishte paralajmëruar një iniciativë të tillë që në fillim të vitit, ndërsa gjatë samitit në Hagë zhvilloi takime me disa liderë aleatë, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s. Në të njëjtin takim, ministri i Jashtëm Igli Hasani zhvilloi një bisedë me Sekretarin e Shtetit të administratës Trump, Marko Rubio.
Shqipëria ka ofruar gjithashtu një kontribut konkret për sigurinë euroatlantike përmes ofrimit të një terminali të posaçëm ushtarak në Portin e ri që pritet të ndërtohet në Porto Romano, Durrës.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO u formalizua më 1 prill 2009, ndërsa ceremonia e pranimit u mbajt më 3 prill të po atij viti gjatë samitit në Strasburg dhe Kehl.
Organizimi i samitit të vitit 2027 në Shqipëri pritet të ketë ndikim të madh në rritjen e profilit ndërkombëtar të vendit, si dhe të sjellë përfitime politike, ekonomike dhe diplomatike në një nivel të pashembullt deri më sot. /Versus.al/







