Partia e Lirisë ka dorëzuar një kërkesë zyrtare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku kërkon hapjen e të gjitha kutive të votimit në bashkinë e Kavajës dhe rinumërimin e fletëve të votimit. Kërkesa është firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, dhe vjen tri javë pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 majit.
Në dokumentin zyrtar, Partia e Lirisë thekson se ka “dyshime të arsyeshme për parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave” dhe argumenton se veprimi ka për qëllim garantimin e transparencës dhe legjitimitetit të rezultatit përfundimtar në këtë bashki.
Kavaja ishte e vetmja bashki në qarkun e Tiranës që u fitua nga Partia Demokratike, duke ruajtur statusin e saj si bastion i së djathtës, ndërkohë që katër bashkitë e tjera të qarkut u morën nga Partia Socialiste.
Kërkesa e Partisë së Lirisë ngre pikëpyetje, për shkak se:
Nuk ka pasur ankesa publike për parregullsi në këtë bashki nga vetë Partia Demokratike, e cila doli fituese;
Vetë Partia e Lirisë ka qenë në koalicion me Partinë Demokratike në këto zgjedhje;
Ajo nuk është subjekti që pretendon humbjen në këtë zonë, ndryshe nga praktika e zakonshme në kontestime.
KQZ pritet të shqyrtojë kërkesën në ditët në vijim dhe të vendosë nëse do të hapen kutitë për rinumërim në këtë bashki, ku rezultati zgjedhor nuk është kontestuar nga fituesi. /Versus.al/







