Ilir Alimehmeti, kandidat për deputet i koalicionit Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) në qarkun e Tiranës, ka depozituar një padi në Kolegjin Zgjedhor kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pas rrëzimit të ankesës së tij nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS).
Ankesa e Alimehmetit, e paraqitur më 29 maj 2025, kishte për qëllim kundërshtimin e vendimit nr. 1326, datë 24.05.2025, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili miratonte tabelën përmbledhëse të rezultatit të votimit në qarkun e Tiranës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Në kërkesën e tij, Alimehmeti kërkonte rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave në të gjitha Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) të këtij qarku dhe ndryshimin e rezultatit pas këtij procesi.
Megjithatë, KAS vendosi të mos e pranojë për shqyrtim këtë kërkesë, duke argumentuar se kandidatët për deputetë nuk kanë të drejtë të ankimojnë vendimet e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit të zonës zgjedhore. Sipas KAS, vetëm subjektet zgjedhore kanë legjitimitet për të paraqitur ankesa të tilla. Në votim morën pjesë edhe përfaqësues të PD.
Në këtë kontekst, Alimehmeti ka vendosur të ndjekë rrugën ligjore duke paditur KQZ-në në Kolegjin Zgjedhor, me qëllim që të shqyrtohet ligjshmëria e vendimit të Komisionerit dhe të kërkohet rinumërimi i votave në qarkun e Tiranës. Ky veprim vjen në një kohë kur rezultati në këtë qark ka qenë objekt debatesh dhe kontestimesh nga ana e opozitës.
Kolegji Zgjedhor pritet të shqyrtojë këtë padi në ditët në vijim, duke marrë parasysh argumentet e paraqitura nga Alimehmeti dhe përfaqësuesit e tij ligjorë. /Versus.al/







