Një punonjës i policisë është dhunuar rëndë dhe është shtruar në spital pas një ngjarjeje të ndodhur pranë banesës së ish-administratorit të Njësisë nr. 6 në Durrës, i identifikuar me inicialet S. M., gjatë një feste elektorale të organizuar në mbështetje të kandidatit për deputet Arkend Balla.
Ngjarja është denoncuar nga një qytetar dixhital dhe është publikuar nga ish-kryeministri Sali Berisha në rrjetin social Facebook, i cili pretendon se autoritetet kanë heshtur për incidentin dhe kanë fshehur informacionin për publikun.
Sipas denoncimit, protagonistë të dhunës kanë qenë ish-administratori i njësisë dhe vëllezërit e tij, të cilët dyshohet se kanë goditur disa punonjës policie. Njëri prej tyre ka përfunduar në spital në gjendje të rënduar.
“Ngjarja është mbajtur e fshehtë nga ana e Policisë së Durrësit,” thuhet në postim, duke iu referuar burimeve të JOQ News.
“Njëri nga vëllezërit e ish-administratorit është lënë pas hekurave dhe materialet janë referuar në Prokurori me akuzën e ushtrimit të dhunës ndaj një punonjësi policie për shkak të detyrës.”Pavarësisht rëndësisë së incidentit, përplasja nuk është bërë publike deri më tani, çka ka ngritur pikëpyetje mbi transparencën institucionale dhe menaxhimin e rastit nga autoritetet.
Sipas denoncuesit, përplasja ka ndodhur pas një mbrëmjeje festive pranë shtëpisë së të përfshirëve dhe ka rezultuar në dhunimin e disa efektivëve, jo vetëm njërit prej tyre. /Versus.al/







