
Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale një video ku bën me dije se mbrëmjen e djeshme, qeveria ka dorëzuar në sekretarinë e Kuvendit projektbuxhetin për vitin 2026.
Theksi i këtij projektbuxheti sipas Ramës është tek rritja e pensioneve. Ai tha se pensionistët përveç bonusit të fundvitit, do të ketë edhe rritje të vazhdueshme pensionesh për pensionistët duke bërë që deri në fund të mandatit të katërt të PS, pensioni urban mesatar të jetë deri në 40 mijë lekë.
“Mbrëmë i përcollëm parlamentit projektbuxhetin 2026 dhe jam realisht i lumtur sot. Nuk e kam përdorur ndonjëherë këtë fjalë, por mund t’u them pensionistëve se siç u votuam në zgjedhje, ky do jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve. Më në fund pikërisht sepse nuk jemi më ai vendi që mezi mbahej në këmbë, por jemi një vend me ekonomi të qëndrueshme, mund ta bëjmë atë të cilën u zotuam. Të rrisim pensionet sipas objektivave të shpallura për secilën kategori. Pensionistët tanë përveçse do marrin këtë vjetor bonusin e fundvitit, duke filluar nga janari do të kenë rritje muaj për muaj përmbi indeksimin e përvitshëm. Sipas kategorive, në fund të mandatit duhet të arrijmë që pensioni mesatar të rritet si më poshtë: pensioni urban me vite të plota pune të shkojë në 40 mijë lekë të reja nga 27 mijë që është sot. Pensioni urban i pjeshëm të shkojë 22 mijë lekë të reja, pensioni rural të shkojë 18 mijë lekë të reja, pensioni familjar të shkojë 18 mijë lekë të reja dhe pensioni i invaliditetit të shkojë 30 mijë lekë të reja”- u shpreh Rama.
Për t’i arritur këto objektiva, Rama njoftoi se duke nisur nga janari, çdo muaj do të ketë rritje të pensioneve duke synuar që në 2029-ën të jenë katërfishuar.
“Prandaj nga janari i vitit 2026 pensionet do rriten çdo muaj siç vijon, përtej indeksimit.
Pensioni urban do rritet 1800 lekë
Pensioni urban i pjesshëm do rritet 800 lekë
Pensioni Rural 1000 lekë
Pensioni Familjar 700 lekë
Pensioni i Invaliditetit 600 lekë
Në vitet në vijim do të dyfishohen për secilën kategori në 2027-ën, do të trefishohen në 2028-ën dhe do katërfishohen në 2029-ën për të arritur vlerën e premtuar në qershor të këtij viti kur shqiptarët na dhanë plot 83 mandate. Them dhe bëjmë atë që themi”- tha Rama.
Ditë më parë, me organizim të partisë "Lëvizja Bashkë" me në krye Arlind Qorin, pati një protestë jashtë Kuvendit ndërkohë që mbahej seanca plenare ku deputetët ishin më të fokusuar në sulmet personale ndaj njëri-tjetrit sesa në zgjidhjen e shqetësimeve të vërteta të popullit. Versus.al
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
