
Nesër në orën 10:00, opozita do të mbajë protestën e 13-të para bashkisë së Tiranës ku prej javësh kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Lidhur me mbarëvajtjen e tubimit të radhës, policia ka publikuar masat e ndërmarra me rrugët që do të bllokohen nga nisja deri në përfundim të protestës.
Në zbatim të planit të masave, bëhet me dije se, nesër prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye sugjerohet që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.
“Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime”- apelon policia duke kërkuar nga protestuesit që të mos hedhin sende të forta dhe molotov ndaj efektivëve.
Në protestat e kaluara, protestuesit vazhdimisht kanë përdorur molotov dhe sende të forta ndaj efektivëve shpesh duke dëmtuar edhe disa prej tyre. Ndërsa në përplasje janë përfshirë edhe deputetë të Partisë Demokratike si Bledion Nallbati apo Gazment Bardhi.
Protestat që zhvillohen prej javësh kanë synimin kryesor dorëheqjen e Erion Veliajt nga posti i kryetarit të bashkisë pas skandalit të publikuar muaj më parë me përvetësimin e tenderave publike, në kuadër të të cilit SPAK arrestoi disa drejtorë të bashkisë nën akuzën se kanë hapur kompani private dhe më pas kanë përfituar tendera publikë duke shfrytëzuar pozicionin e tyre në institucion. Versus.al







