POLITIKË /

Protesta në Prishtinë për ish-liderët e UÇK, Rama: Pyes veten përse Kuvendi nuk ka miratuar një rezolutë?

Kreu i qeverisë shprehu gatishmërinë që e njëjta rezolutë të votohet edhe në Kuvendin e Shqipërisë.

Shkruar nga Versus

Protesta në Prishtinë për ish-liderët e UÇK, Rama:

Pasditen e djeshme në orën 17:00, në Prishtinë u mbajt një protestë me pjesëmarrje masive ku qytetarët kërkuan drejtësi në procesin gjyqësor që po zhvillohet prej 5 vitesh në Hagë ndaj ish-liderëve të UÇK.

Lidhur me këtë protestë ka patur një reagim edhe nga kryeministri Edi Rama i cili ngriti pyetjen përse Kuvendi i Kosovës ende nuk ka miratuar një rezolutë me shkeljet e kryera në procesin ligjor ndaj ish-liderëve të UÇK.

Ai shprehu gatishmërinë që pas Kosovës, e njëjta rezolutë të miratohet edhe në Kuvendin e Shqipërisë për ta dërguar më pas në vendet që e sponsorizojnë gjykatën e Hagës.

“Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, ku të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiçasgjë?!

Natyrisht që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asnjë cënim e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor me kontributin financiar të taksapaguesve të vet”, ka shkruar kryeministri Edi Rama.

Që prej vitit 2020, në Dhomat e Specializuara po gjykohen ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Të katër akuzohen se janë përgjegjës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza të cilat ata i kanë mohuar. Versus.al

Poll