
Seanca plenare në Kuvend ka nisur me kërkesën e demokratëve për të hequr nga rendi i ditës disa prej projektligjeve të cilat sipas tyre nuk janë konsultuar me grupet e interesit dhe nuk kanë dakordësinë e Komisionit Evropian.
Deputetja Jorida Tabaku tha se shumë prej projektligjeve nuk janë diskutuar me grupet e interesit dhe akuzoi qeverinë se po mundohet që t’i kalojë në mënyrë “tinëzare”.
"Një pjesë e madhe e këtyre ligjeve nuk kanë kryer procesin e konsultimit publik, për shembull ligji për lobimet. Të gjitha ato që po vijnë në komisionet parlamentare po vijnë me minimumin e kohës për diskutime. Ligji për armatimet është një tjetër ligj problematik që ka nevojë të konsultohet. Ndryshimet në kodin penal nuk janë konsultuar. Qeveria shqiptare sjell tinëzisht bashkë me ndryshimet për mediat të cilat janë të pakonsultuara, masa shtrënguese për penalitetet. Ka nevojë që këto ligje të diskutohen e debatohen me grupet e interesit. Procesi i integrimit nuk është proces letrash, por ndryshimi në realitet”- tha Tabaku.
Ligjvënësja kërkoi që disa prej projektligjeve si ai i ndryshimeve në kodin penal, për median, për lobimet dhe armatimet, të shtyhen për një seancë plenare pasi të jetë kryer procesi i konsultimit publik.
“I bashkohem kërkesës së Boçit për të tërhequr nga rendi i ditës të gjithë ato projektligje që nuk janë konsultuar dhe nuk kanë dakordësinë e KE”- shtoi deputetja. Versus.al


