Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri që përditëson kuadrin ligjor për masat shtrënguese ndërkombëtare, në përputhje me zhvillimet e fundit të Bashkimit Evropian.
Me propozim të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, vendimi pasqyron katër akte të reja të Këshillit të BE-së (CFSP 2025), të cilat përfshijnë lista të përditësuara të individëve dhe subjekteve të sanksionuara për terrorizëm, siguri dhe çështje të tjera të politikës së jashtme.
Ky hap dëshmon angazhimin e Shqipërisë për të ndjekur në kohë reale zhvillimet në politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si pjesë e qasjes së vendit ndaj procesit të integrimit evropian.
Zbatimi i vendimit do të ndiqet nga institucionet përgjegjëse, në përputhje me Ligjin Nr. 72/2019 “Për masat shtrënguese ndërkombëtare”.
Ky veprim forcon harmonizimin e Shqipërisë me politikën e jashtme të BE-së, duke rritur qëndrueshmërinë e vendit përballë kërcënimeve ndërkombëtare dhe sfidave të sigurisë globale. /Versus.al







