I ftuar në episodin e radhës të podkastit “Flasim” të kryeministrit Edi Rama, ka qenë profesori Selami Xhepa, ish-deputeti i PD-së i cili së fundmi ka publikuar edhe një libër lidhur me zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.
Teksa folën edhe për pavarësinë e institucioneve, kryeministri Edi Rama komentoi për herë të parë edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese që rriti pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Kemi bërë në mënyrë të përsëritur përpjekje, por gjatë rrugës e kam parë në më shumë se një rast që një gjë e konsideruar e çliruar është shfaqur sërish e kapur në një tjetër anë dhe zinxhiri i burokracisë është shkurtuar në një anë dhe është zgjatur nga një anë tjetër.
Sa i përket pavarësisë së institucioneve është problem, se pse sa më shumë i japim pavarësi aq më shumë bie në sy paaftësia institucionale për të kontrolluar në kuptimin e performancës, jo politik, në sistemet shtetërore.
Rasti klasik dhe më spektakolar i impotencës së pjesës tjetër për të thënë jo, është se si gjyqtarët i rritën pagat vetes. Bënë një ankim në GJK sepse sipas tyre llogaria e pagave dilte që duhet të rritej në një masë x dhe Kushtetuesja bëri një ekstra llogari e nxori që duhej të rritej edhe më shumë nga sa ishte kërkuar. Rritja që u mor që ishte me vonesë e çudira të tilla ishte skandaloze”- u shpreh Rama.
Ndërsa mori si shembull edhe raste të tjera ku sipas tij pavarësia institucionale, nuk ka ndikuar për mirë sa i takon rritjes së performancës.
“Universiteteve i kemi dhënë autonomi financiare, por kontrolli i performancës, nuk e maksimizon efektin që duhet të kishte. Pika tjetër, kur vjen puna tek ministritë, e kemi vuajtur dhe e vuajmë pjesën që ministria i bën të gjitha, kur në fakt ato duhet të bëjnë politika. Është një rendje pas të tashmes kur rutina luan një rol të madh në presionin që ushtron dhe punohet në një lloj emergjence”, shtoi kryeministri. Versus.al








