POLITIKË /

Rama në podcastin 'Flasim': Nëse rrethanat do të kishin qenë të ndryshme, nuk do të kishte ndryshime në qeveri

Rama deklaroi se largimi i ish-zëvendëskryeministres nuk lidhet me performancën, duke vlerësuar punën e saj si shumë të suksesshme. Ai shtoi se arsyet e plota do t’i bëjë publike pasi të shqyrtojë raportin e Këshillit të Mandateve.

Shkruar nga Versus

Rama në podcastin 'Flasim': Nëse rrethanat do të kishin

Kryeministri Edi Rama deklaroi se gjatë mbledhjes së zgjeruar mujore të grupit parlamentar socialist u zhvillua një diskutim i detajuar mbi ecurinë e punës në disa sektorë, ku ministrat raportuan për rezultatet përkatëse.

Duke folur në podcastin Flasim, ai tha se në takim trajtoi edhe raportin mes politikës dhe drejtësisë, duke theksuar se janë arritur rezultate pozitive, por mbeten ende çështje që kërkojnë adresim.

Rama zbuloi se në të njëjtën mbledhje prezantoi edhe planin e ndryshimeve në qeveri, të cilat i cilësoi si pjesë e një qasjeje të re të paralajmëruar që në fillim të mandatit. Ai e krahasoi procesin me ndryshimet në skuadrat sportive, duke nënvizuar se lëvizjet kanë qenë të parashikuara dhe jo të papritura.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te largimi nga detyra i ish-zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke theksuar se në rrethana të tjera, për shkak të rezultateve shumë të mira në punë, ajo nuk do të ishte zëvendësuar. Megjithatë, ai shtoi se do të japë shpjegime më të plota për këtë çështje pasi të shqyrtojë raportin e Këshillit të Mandateve.

Sipas Ramës, transparenca mbi vendimet dhe ndryshimet në kabinet do të vijojë, ndërsa detajet e mëtejshme pritet të bëhen publike në një moment të dytë.

Edi Rama: Këtë javë u zhvillua mbledhja e zgjeruar mujore e grupit parlamentar socialist ku u bë një diskutim i detajuar nga deputetët mbi ecurinë e punës në një sërë sektorësh për të cilët raportuan ministrat përkatës. Po ashtu, në mbledhjen e zgjeruar mujore të grupit, unë fola për raportet midis politikës dhe drejtësisë, në një fazë kur shumëçka pozitive është arritur, por kur shumëçka tjetër kërkon adresim dhe për të gjithë ata që janë të interesuar mund t’i kthehen fjalës time në po këtë faqe, në ditën kur u mbajt mbledhja e zgjeruar mujore e grupit faktikisht, të enjten e shkuar.

Në ndërkohë po aty, unë ndava me deputetet dhe deputetët edhe planin e ndryshimeve në qeveri, të cilat janë ndryshime që shkojnë në atë që unë e kam konsideruar si një qasje e re në këtë aspekt dhe për të cilën kam folur, qysh në fjalën e drejtuar Asamblesë Kombëtare në krye të punëve të këtij mandati, duke bërë edhe krahasimin, mes ndryshimeve në një skuadër futbolli me ato në një skuadër basketbolli. Kështu që, në këtë aspekt ndryshimet ishin të parapara, por natyrisht që nëse rrethanat do të kishin qenë të ndryshme, nuk do të kishte ndryshuar për rezultatet e jashtëzakonshme në punë, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë që aktualisht në bazë të mbledhjes së zgjeruar të grupit dhe të planit të ri të kompozimit të qeverisë, është ish Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë. Por gjithsesi për këtë temë, fola pak në mbledhjen e grupit dhe rezervova dhe më mbetet e rezervuar e drejta që të flas në mënyrë më shterruese, pasi të kem lexuar edhe raportin e Këshillit të Mandateve./Versus.al

Tags:

edi rama

Poll