
Në kryeqytet është parashikuar të mbahet të premten, 17 prill, protesta e opozitës përpara Kryeministrisë, e cila do të nisë në orën 19:00.
Tirana do të jetë nën masa të shtuara sigurie, ndërsa Policia e Tiranës ka njoftuar një sërë kufizimesh në qarkullim dhe parkim për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit.
Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 15:00 deri në përfundim të protestës do të bllokohet përkohësisht qarkullimi në segmentin kryesor të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”. Po ashtu, kufizime do të ketë edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia thekson se, në varësi të zhvillimit të situatës në terren, mund të vendosen edhe kufizime shtesë në akse të tjera rrugore të kryeqytetit.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet në zonat e prekura dhe të përdorin rrugë alternative gjatë orëve të protestës./Versus.al

