POLITIKË /

Raporti i DASH për klimën e investimeve në Shqipëri, reagon Belind Kelliçi: Pasqyron realitetin të cilin e kemi denoncuar në vazhdimësi

Në postimin e tij në Facebook, Këlliçi thekson se raporti pasqyron një realitet të gjatë denoncuar nga PD-ja: pengesat korruptive qeveritare që ngulfatin zhvillimin ekonomik, pengojnë investimet e huaja direkte dhe ngadalësojnë afrimin e Shqipërisë me standardet e vendeve europiane.

Shkruar nga Versus
Raporti i DASH për klimën e investimeve në Shqipëri, reagon
Belind Këlliçi

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka komentuar raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) mbi klimën e investimeve në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një “skaner realist kundër propagandës dhe mashtrimeve qeveritare”.

Në postimin e tij në Facebook, Këlliçi thekson se raporti pasqyron një realitet të gjatë denoncuar nga PD-ja: pengesat korruptive qeveritare që ngulfatin zhvillimin ekonomik, pengojnë investimet e huaja direkte dhe ngadalësojnë afrimin e Shqipërisë me standardet e vendeve europiane.

Raporti evidenton nivelin e ulët ekonomik, ku PBB-ja arrin vetëm një të katërtën e mesatares së Bashkimit Europian, si dhe praninë e madhe të të ardhurave të paligjshme nga trafikimi i drogës, kontrabanda dhe korrupsioni, që shtrembërojnë konkurrencën në treg.

Këlliçi thekson se korrupsioni në sektorin publik, sistemi gjyqësor dhe prokurimet publike, si dhe problemet me pronësinë dhe zbatimin e kontratave, janë pengesa konkrete për zhvillimin e Shqipërisë.

Ai shton se pasuritë e shqiptarëve shpesh trajtohen si plaçkë elektorale nga zyrtarë me orientim qeveritar.

“Partia Demokratike beson tek sipërmarrja e lirë, rritja ekonomike e bazuar në lirinë e biznesit për qytetarët shqiptarë dhe investitorët e huaj, pa vargonjtë korruptivë dhe gjobaxhinj të një administrate të kalbur,” shkruan Këlliçi.

Deputeti rithekson urgjencën kombëtare për largimin sa më parë të qeverisë aktuale, që sipas tij ka treguar paaftësi dhe bashkëfajësi në pengimin e lirisë ekonomike në vend.

Postimi i plotë i Belind Këlliçit:

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) “Investment Climate 2025”, është një skaner realist kundër propagandës dhe mashtrimeve qeveritare!

Raporti i fundit i DASH pasqyron një realitet të cilin Partia Demokratike e ka denoncuar në vazhdimësi, një realitet ku pengesat korruptive qeveritare ngulfatin rritjen dhe zhvillimin ekonomik, pengojnë investimet e huaja direkte dhe ngadalësojnë ritmin e përafrimit të Shqipërisë me vendet europiane.

Në raport specifikohet niveli i ulët i ekonomisë, ku PBB-ja arrin në vetëm një të katërtën e mesatares së BE-së.

Përtej propagandës së 10 milionë turistëve dhe "përpjekjeve të mëdha për të mbyllur kapitujt", ky është realiteti faktik i përditshmërisë së qytetarëve shqiptarë, të cilët fatkeqësisht mbeten me varfërinë më të lartë në rajon dhe shumë larg sigurisë ekonomike europiane apo zhvillimit teknologjik.

Reformat strukturore për të zvogëluar këtë hendek me vendet e zhvilluara nuk gjejnë në qeverinë shqiptare as aftësinë, as vizionin dhe as vullnetin për t'u ndërmarrë.

Një ekonomi shqiptare konkurruese do duhej të kishte një klimë të mirë biznesi, një hapje drejt teknologjive të reja dhe mundësive industriale të kohës, një diversifikim të burimeve dhe shfrytëzim të burimeve natyrore, për të mundësuar që çdo i ri të ketë mundësinë të ndërtojë të ardhmen me të ardhura dinjitoze në shtëpinë e tij.

Përkundrazi, problemet kronike me korrupsionin galopant, si në nivel qëndror, po ashtu edhe në nivel lokal dhe të shtrirë në mënyrë kapilare, pengojnë iniciativën e lirë dhe besimin tek ekonomia.

Vizioni qeveritar është dëshmuar në vazhdimësi i njëjti, injektim i flukseve të stërmëdha të parasë së pistë, braktisje totale e sektorit industrial dhe fermerëve, pengesa burokratike dhe zhvatëse ndaj sipërmarrjeve të vogla e të mesme, dhurim i tokave të bregdetit tek klientët personalë të kryeministrit apo “investitorët strategjikë” me CV të pasur kriminale vendase dhe ndërkombëtare!

Raporti tregon se si korrupsioni është pengesë konkrete në ekonominë shqiptare, e jo vetëm temë e diskursit publik opozitar.

Korrupsioni në sektorin publik, sistemin gjyqësor dhe prokurimet publike, konkurrenca e padrejtë dhe e shtrembëruar, ekonomia e madhe informale, pastrimi i parave, pengesat në të drejtën pronësore, zbatimi i dobët i kontratave, janë të gjitha përgjegjësi direkte e një qeverisje të mbrapshtë dhe të dështuar 12 vjeçare, e cila riciklon fytyrat, por jo qasjen destruktive kundrejt shtetformimit.

Në raport po ashtu specifikohet se prania e madhe e të ardhurave të paligjshme nga trafikimi i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni, shtrembërojnë konkurrencën në treg. Investitorët raportojnë se mund të jenë objekt shantazhesh nga administrata publike, media dhe grupe kriminale.

Raportet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme, me investitorët që shpesh raportojnë raste të korrupsionit qeveritar që vonojnë ose pengojnë investimet në Shqipëri.

E drejta pronësorë, sipas raportit, vijon të jetë një sfidë në Shqipëri, ku është vështirë të sigurohet titulli i qartë i pronës dhe kompensimi për tokat e konfiskuara nga sistemi komunist vazhdon të jetë joefikas dhe i pamjaftueshëm!

Garantimi i të drejtës pronësore do duhej të ishte baza e çdo politike qeveritare që synon një zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje të investimeve të huaja direkte, të besimit të investitorëve tek Shqipëria.

Përkundrazi, prona është trajtuar si plaçkë elektorale, nga zyrtarë të babëzitur me orientim qeveritar, për të deformuar vullnetin elektoral të votuesve dhe pamundësuar pasurimin e shqiptarëve në pronën e tyre të pavarur nga qeveria.

Partia Demokratike beson tek sipërmarrja e lirë, tek rritja ekonomike e bazuar në lirinë e biznesit për qytetarët shqiptarë dhe investitorët e huaj, pa vargonjtë korruptivë dhe gjobaxhinj të një administrate të kalbur.

Por PD njëkohësisht rithekson urgjencën kombëtare të largimit një orë e më parë të një qeverie, e cila mandat pas mandati, tregon paaftësinë dhe bashkëfajësinë në pengimin e kësaj lirie ekonomike, pasi një qytetar shqiptar i lirë, i pavarur dhe me mirëqënie, nuk do të ishte i kontrollueshëm nga makineria antiligjore e patronazhimit dhe neodiktaturës./Versus.al

 

Poll