Këshilltari për çështjet ekonomike në Partinë Demokratike dhe njëkohësisht nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti, ka reaguar sot në lidhje me skandalin e denoncuar së fundmi nga emisioni investigativ “Piranja”, që lidhet me përdorimin e aseteve publike nga ana e kryetares së komanduar të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani.
Në një deklaratë për media, Teliti shprehet se "muajt kalojnë dhe kryetarët ndryshojnë, por zakonet e abuzimit me fondet publike dhe pasuritë e qytetarëve të Tiranës mbeten të pandryshuara". Ai theksoi se pamjet e transmetuara nga media tregojnë qartë se Ristani ka përdorur mjetet e Bashkisë për interesa personale dhe familjare, duke shkelur rëndë etikën dhe detyrimet ligjore të funksionarit publik.
“Jo vetëm që nuk ka një ndjesë publike apo përgjegjësi nga znj. Ristani, por përkundrazi ajo ka reaguar me tone agresive dhe kërcënuese ndaj gazetarëve që thjesht po bënin detyrën”, tha Teliti, duke e cilësuar këtë si një sjellje të papranueshme në një institucion publik që duhet të jetë në shërbim të qytetarëve.
Teliti i bëri thirrje organeve të drejtësisë që të nisin menjëherë hetimet mbi këtë çështje, duke u bazuar në provat e publikuara. Njëkohësisht, ai kërkoi që në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak të martën, të përfshihet në rendin e ditës një pikë e posaçme mbi llogaridhënien e kryetares së komanduar dhe diskutimin e këtij skandali.
“Paratë e qytetarëve nuk mund të përdoren për udhëtime personale apo interesa private. Duhet të shkojnë për çerdhe, kopshte, shkolla dhe transport për nxënësit, jo për luksin e drejtuesve të Bashkisë”, theksoi Teliti.
Në përfundim të deklaratës, ai falënderoi ekipin gazetaresk të emisionit “Piranja” për guximin në denoncimin e kësaj afere dhe i bëri thirrje çdo media të lirë që të vijojë të denoncojë raste të abuzimit me pushtetin dhe financat publike. Ai kërkoi gjithashtu shkarkimin e menjëhershëm të znj. Ristani dhe të vetë Erion Veliajt, duke e cilësuar qeverisjen e tij si të dështuar dhe të papërgjegjshme.
“Tirana meriton më mirë. Ndryshimi do të vijë vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, me zgjedhje të parakohshme për një drejtim të ri të bashkisë më të madhe në vend,” përfundoi Teliti.







