Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS, janë zbardhur edhe emrat e drejtuesve të rinj të komisioneve parlamentare që pritet të ngrihen në nisje të legjislaturës së XI-të të Kuvendit. Mes tyre vihen re emrat e Damian Gjiknurit i cili do të drejtojë sërish komisionin për Reformën Zgjedhore dhe ish-ministri i Brendshëm Bledi Çuçi i cili do të drejtojë komisionin për Punët e Brendshme dhe Mbrojtjen.
Komisioni i posaçëm për reformën territoriale dhe administrative do të drejtohet nga Arbjan Mazniku, ish-ministri për Pushtetin Vendor. Kreu i qeverisë Edi Rama theksoi se ka ardhur koha për të patur një tjetër reformë territoriale me qëllim administrimin më të mirë të shërbimeve vendore.
Në total 9 komisione të rëndësishme do të drejtohen nga mazhoranca, ndërsa opozita do të drejtojë 4 prej tyre.
Konkretisht komisionet dhe drejtuesit e tyre do të jenë si më poshtë:
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat- Milva Ekonomi
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike- Ulsi Manja
Komisioni për Reformën Zgjedhore-Damian Gjiknuri
Komisioni për Punët e Brendshme dhe të Mbrojtjes- Bledi Çuçi
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe zhvillimin e qëndrueshëm- Anila Denaj
Komisioni për Bujqësinë Ushqimin dhe Zhvillimin Rural- Blendi Klosi
Komisioni për Politikën e Jashtme- Igli Hasani
Komisioni për Reformën Territoriale- Arbjan Mazniku
Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimi dhe Mbikëqyrjen Institucionale- Fatmir Xhafaj
Ndërkaq opozita do të drejtojë komisionet për "Edukimin Shkencën dhe Sportet; Shëndetësinë dhe Çështjet Sociale; Të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik; Kultura, Turizmi dhe Diaspora".
Më herët, në mbledhjen e Asamblesë së PS ku njoftoi përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, Rama bëri me dije gjithashtu se do të miratohet rregullore e re e Kuvendit me më pak deputetë anëtarë nëpër komisione. Versus.al







