
Në edicionin e pestë të konkursit “Mbro & Promovo”, vëmendja u përqendrua te Lumi i Gashit – një pasuri kombëtare dhe ndërkombëtare. Fotografia fituese sjell një pamje autentike të këtij peizazhi malor, ndërsa ekspozita synon të nxisë ndërgjegjësim për mbrojtjen e natyrës.
Bujar Gashi është shpallur fitues i Konkursit Fotografik “Mbro & Promovo – Edicioni V”, me fotografinë “Shteg, Lumi i Gashit, Tropojë”. Kjo fotografi përfaqëson me sukses bukurinë e natyrës shqiptare dhe veçanërisht një prej zonave më të ruajtura dhe të vlerësuara në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Konkursi, i organizuar nga Shoqata ARGJIRO, ka për qëllim të inkurajojë fotografë të rinj dhe profesionistë për të dokumentuar dhe promovuar trashëgiminë natyrore dhe kulturore të Shqipërisë. Pjesëmarrësit u angazhuan të paraqesin, përmes aparatit fotografik, jo vetëm bukuritë që ofron vendi, por edhe sfidat që lidhen me ruajtjen e tyre.
Juria profesionale, e përbërë nga Gent Shkullaku, Lara-Scarlett Gervais, Ornela Durmishaj, Wandrille Potez, Amélie Lombardini-Morin, Sara Gurabardhi dhe Ilda Mara, shpalli si fitues të këtij edicioni fotografin nga Kosova Bujar Gashi, me veprën “Shteg, Lumi i Gashit, Tropojë”.
Vepra sjell në fokus Lumin e Gashit, një nga mrekullitë natyrore të Shqipërisë, shpallur “Rezervë Strikte Natyrore” në vitin 1996 dhe pjesë e rrjetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s prej vitit 2017. Ky habitat i rrallë, me sipërfaqe 3 mijë hektarë në Alpet Shqiptare, është i mbuluar me pyje të virgjëra ahu dhe pisha alpine, duke strehuar një biodiversitet unik me flora dhe faunë të mbrojtur.
Fituesi: Bujar Gashi ka studiuar në Universitetin e Prishtinës dhe ka ndjekur trajnime të ndryshme në Angli dhe Francë, të fokusuara në fotografinë dokumentare dhe artistike. Ai është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare dhe autor i katër ekspozitave. Fotografitë e tij janë të ekspozuara në vende publike si Aeroporti i Prishtinës, dhe kanë qenë pjesë e Expo Dubai 2021-22, duke përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Ekspozita dhe finalistët
Ekspozita e fotografive finaliste është e hapur deri më 19 shtator në Qendren e Artit Agimi dhe më pas do të zhvendoset në Parkun Arkeologjik të Apolonisë gjatë muajit tetor.
Finalistët e edicionit janë:
Abi Fusha, Marine Brissard, Virginie Elfiguigui, Marinela Pashaj, Bujar Gashi, Erdit Asllanaj, Maria Balliu, Emi Divjaka, Renilda Cani, Blendi Kareco.
Partnerët e projektit: Frankofonia, Agjensia e Industrise Krijuese, Qendra e Artit Agimi dhe Parku Arkeologjik Apolonia.







