
I magjishmi Lionel Messi vazhdon të shkruajë histori në futbollin botëror. Kapiteni i Argjentinës ishte protagonisti absolut në fitoren 3-0 ndaj Algjerisë në ndeshjen e parë të Grupit J në Kupën e Botës 2026, duke realizuar një hat trick dhe duke vendosur disa rekorde të jashtëzakonshme.
38-vjeçari shënoi të tre golat e Argjentinës, duke e çuar numrin e realizimeve të tij në Kampionatet Botërore në 16. Me këtë shifër, ai barazoi rekordin e legjendës gjermane Miroslav Klose, i cili deri tani qëndronte i vetëm në krye të listës së golashënuesve më të mirë në historinë e Kupës së Botës.
Paraqitja ndaj Algjerisë ishte historike edhe për një arsye tjetër. Messi u bë futbollisti i parë në histori që luan në gjashtë Kupa Bote radhazi, duke qenë pjesë e turneve të viteve 2006, 2010, 2014, 2018, 2022 dhe 2026.
Për më tepër, ylli argjentinas vendosi edhe rekordin si lojtari më i vjetër që realizon hat trick në një ndeshje të Kupës së Botës. Në moshën 38 vjeç e 357 ditë, ai theu rekordin e Cristiano Ronaldos, i cili kishte shënuar tre gola ndaj Spanjës në Botërorin e vitit 2018 në moshën 33 vjeç e 130 ditë.
Me tre golat ndaj Algjerisë, Messi u bë gjithashtu vetëm argjentinasi i katërt që realizon hat-trick në një Kampionat Botëror, pas Guillermo Stábile, Gabriel Batistuta dhe Gonzalo Higuaín.
Mbrëmja historike u kompletua edhe me një tjetër shifër mbresëlënëse, pasi ndeshja ndaj Algjerisë ishte paraqitja e 200-të e Messit me fanellën e Argjentinës.

