POLITIKË /

Koçeku denoncoi kërcënimet, reagon avokati i Bajrajve: Po denigron pa prova

Tahiraj tha se do të ndërmerren veprimet ligjore konkrete për deklaratat e ligjvënëses.

Shkruar nga Versus

Koçeku denoncoi kërcënimet, reagon avokati i Bajrajve: Po

Pas shkrimit të bërë nga deputetja Marjana Koçeku në rrjetet sociale ku denoncoi kërcënimet që grupi kriminal i Bajrajve i ka bërë familjarëve të saj, ka reaguar edhe avokati i grupit të lartpërmendur.

Sokol Tahiraj shprehet se deklaratat e deputetes kanë krijuar një klimë tensioni dhe kanë nxitur denigrimin e klientëve të tij. Sipas Tahirajt, ligjvënësja nuk ka asnjë provë për të bazuar pretendimet e saj për kërcënim, ndërsa shtoi se po analizojnë rrugët ligjore për deklaratat e Koçekut.

Reagimi i plotë:

Në lidhje me deklaratat e bëra publikisht nga deputetja Marjana Koçeku, të cilat përmendin klientët tanë dhe i referohen atyre me etiketime denigruese e paragjykuese, ndjejmë detyrimin të sqarojmë opinionin publik se këto deklarata janë të pabazuara në prova dhe përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj dinjitetit, reputacionit dhe të drejtave themelore të personave që ne përfaqësojmë.

Në një shtet të së drejtës, askush nuk mund të shpallet fajtor apo të etiketohet publikisht mbi bazën e deklaratave politike, perceptimeve personale apo insinuatave mediatike. Çdo pretendim për përgjegjësi penale duhet të mbështetet në prova dhe të vlerësohet vetëm nga organet kompetente të drejtësisë, e jo nga deklarata publike me karakter denigrues.

Deklaratat e deputetes, të cilat përmendin klientët tanë në një kontekst kërcënues dhe stigmatizues, cenojnë parimin e prezumimit të pafajësisë, të garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Për më tepër, gjuha e përdorur në reagimin e saj publik nuk kontribuon në debatin demokratik dhe as në informimin e publikut, por krijon një klimë tensioni dhe paragjykimi ndaj personave të përmendur, duke synuar dëmtimin e reputacionit të tyre dhe të familjeve të tyre.

Për këto arsye, po shqyrtojmë me seriozitet të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për mbrojtjen e interesave të klientëve tanë, përfshirë kallëzimet pranë organeve kompetente dhe ndjekjen e procedurave ligjore për çdo deklaratë që rezulton e pavërtetë, shpifëse apo cënuese të të drejtave të tyre.

Ftojmë zonjën Koçeku që, nëse disponon prova konkrete për çdo pretendim të bërë publikisht, t’i paraqesë ato pranë institucioneve përgjegjëse sipas ligjit dhe jo të zhvillojë gjyqe publike në media apo rrjete sociale.

Klientët tanë do të vazhdojnë të mbrojnë të drejtat e tyre me mjetet që garanton ligji, ndërsa ne, si përfaqësues ligjorë, do të reagojmë ndaj çdo përpjekjeje për t’i dëmtuar ata përmes deklaratave të pabazuara dhe denigruese.

AVOKAT SOKOL TAHIRAJ

Përfaqësues Ligjor. Versus.al

Poll