
Kryedemokrati Sali Berisha gjatë ditës së sotme foli edhe për goditjet e fundit të SPAK ndaj grupeve kriminale që pastronin paratë e drogës duke u fshehur pas biznesmenëve. Berisha nënvizoi se përgjatë 8 viteve që PD kishte qëndruar në pushtet, nuk ishte ndërtuar asnjë kullë.
Ndërsa akuzoi prokurorin e posaçëm, Altin Dumani se po mbante të fshehur emrin e qeveritarit të pranishëm në takimin e Arubës ku edhe në dosje tregohej se kishte patur një plan për trafikun e drogës drejt Evropës dhe investimin e parave në Shqipëri.
“Njëherë në radhë të parë, duhet të ndjehemi krenarë se tetë vite në pushtet, në territorin e Shqipërisë nuk u ndërtua asnjë kullë. Plani i rregullimit të Tiranës lejonte pallate deri në tetë kate. Le të llomotisin ata që mëngjes, drekë, darkë ushqehen me gënjeshtrat e tyre, por qeveria e PD nuk autorizoi dhe nuk lejoi ndërtimin e asnjë kulle në Shqipëri si monumente, si dëshmi e korrupsionit dhe drogës.
Kemi denoncuar dhe denoncojmë me forcën më të madhe ndërtimin e kullave kudo që ndodhen. Por kjo është vepër e Edi Ramës dhe lidhjeve të tij, e narkoshtetit të tij.
Ndaj dhe u bëj thirrje medieve të investigojnë për të gjetur qeveritarin e Arubës, sikundër Komisioni i Ligjeve të thërrasë Prokurorin e Përgjithshëm dhe prokurorin e Skapit pse mbron qeveritarin. Të vijë aty të japë llogari pse e mbron emrin e qeveritarit. I vetmi që nuk mund të jetë sekret është ai. Nuk ka, ai ka shkuar aty për t’u garantuar se Malin e Tiranës e keni ju. Dhe jo vetëm Malin e Tiranës, por kushedi sa male të tjera që po mbijnë çdo ditë”- tha Berisha. Versus.al

