Në ditën e dytë të takimit të Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, opozita mori mbështetje nga ish-kandidati i saj dhe tani eurodeputet grek, Alfred Beleri, i cili kritikoi ashpër sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Si një politikan që ka përjetuar burgun, Beleri i shprehu shqetësimet jo vetëm për Sali Berishën dhe Ilir Metën, por edhe për Erion Veliajn. Ai theksoi se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është i kontrolluar nga të njëjtët njerëz që pretendon ta reformojnë, përfshirë edhe qeverinë aktuale.
“Qeveria përmes gjyqësorit ka arritur të ushtrojë presion mbi Berishën, kreun e opozitës, ndërsa Meta ndodhet në burg dhe kryebashkiaku i Tiranës është arrestuar. Veliaj është ndëshkuar për shkak të veprimeve të gruas së tij, jo për krime që lidhen drejtpërdrejt me kryeministrin. Drejtësia është shkelur në zgjedhjet e fundit, si rasti i zotit Gogu, i cili nuk u zgjodh deputet, pasi në vend të tij u votua një kandidat tjetër, i cili kishte lidhje me blerjen e votave,” deklaroi Beleri.
Në përgjigje, Tonin Gogu u përpoq të shmangte akuzat duke thënë: “Çdo pretendim për zgjedhjet po shqyrtohet nga autoritetet kompetente në Shqipëri. Vullneti i popullit do të respektohet.”
Edhe pse zyrtarët evropianë u bënë thirrje për respekt dhe mbështetje të pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, veçanërisht SPAK-ut, demokratët vazhduan me kritikat.
“Në vend nuk ka asnjë institucion të pavarur, pasi partia në pushtet ka kapur gjithçka, duke përfshirë KQZ-në dhe Kolegjin. Legjislativi nuk ofron asnjë garanci për qytetarët dhe është i politizuar. Udhëheqësit e opozitës mbahen të arrestuar pa akuza të qarta ose prova të forta. Korrupsioni vazhdon, reforma në drejtësi ka dështuar dhe njerëzit po vuajnë. Nëse kjo situatë vazhdon 10 vite pas reformës, gjërat nuk do të ndryshojnë,” tha Bylykbashi.
Nga ana tjetër, socialisti Xhafaj kërkoi bashkëpunim dhe konsensus me opozitën për të përmirësuar reformën në drejtësi.
“Ne mbështesim fort reformën e vitit 2016 dhe konsiderojmë të paprekshme shtyllat e saj. Shpresojmë që opozita të njohë punën e institucioneve të drejtësisë, veçanërisht të SPAK-ut, dhe të ulemi së bashku nën monitorimin e BE-së për të adresuar masat dhe rekomandimet për konsolidimin e reformës,” tha Xhafaj.
Ndryshe nga takimet e mëparshme, këtë herë nuk pati asnjë përpjekje për deklaratë të përbashkët nga Komiteti i Stabilizim-Asociimit, pasi sipas Parlamentit Evropian, qëndrimet e palëve ishin shumë të ndryshme, ndërsa takimi u zhvillua me deputetët e legjislaturës së kaluar shqiptare. /Versus.al/







