POLITIKË /

Shqipëria dhe Mali i Zi mbyllin më 14 korrik 3 kapituj të tjerë të integrimit, mbetet jashtë Serbia. Rama: Fjala jonë, puna!

E marta e ardhshme njihet në qarqet diplomatike si "Super e Marta", sepse atë ditë do të mbahen katër konferenca ndërqeveritare, duke hapur ose mbyllur përkohësisht kapituj bisedimesh

Shkruar nga Versus

Shqipëria dhe Mali i Zi mbyllin më 14 korrik 3 kapituj të

Shqipëria dhe Mali i Zi do t’i mbyllin kapitujt e radhës në bisedimet e tyre me Bashkimin Evropian për anëtarësim në bllokun evropian, gjatë një konference të martën e ardhshme. Shqipëria do t’i mbyllë tre kapituj për herë të parë, pra kapitujt 25, 26 dhe 30, ndërsa Mali i Zi do t’i mbyllë përkohësisht dy kapituj, 8 dhe 29.

E marta e ardhshme njihet në qarqet diplomatike si "Super e Marta", sepse atë ditë do të mbahen katër konferenca ndërqeveritare, duke hapur ose mbyllur përkohësisht kapituj bisedimesh.

Kryeministri Edi Rama në një mesazh në rrjetet sociale shkruan se ndryshe nga çfarë thuhet prej opozitës dhe protestuesve, Shqipëria nuk ndalet.

“Thanë negociatat u bllokuan; thanë Samiti i NATOS u anullua; thanë qeveria u rrëzua; thanë ç’nuk thanë e gjë pa thënë s’do lenë, sepse puna e tyre janë llafet ndërsa FJALA JONË ËSHTË PUNA”, shkruan Rama.

Përveç Malit të Zi dhe Shqipërisë, konferenca ndërqeveritare do të mbahen edhe me Ukrainën dhe Moldavinë. Me këtë rast, këto dy vende do të hapin nga një kapitull.

Nga të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Mali i Zi vlerësohet se kanë përparuar dukshëm në rrugën drejt anëtarësimit në BE, dhe janë në bisedime aktive.

Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina kanë statusin e vendit kandidat. Kjo e lë Kosovën si vendin e vetëm nga rajoni pa statusin e vendit kandidat, rreth katër vjet pasi aplikoi.

Ndërkohë, institucionet evropiane kërkuan të organizonin gjithsej pesë konferenca ndërqeveritare në të njëjtën ditë, pasi fillimisht shpresohej që edhe Serbisë do t’i jepej drita e gjelbër për të hapur kapitullin 3./Versus.al

Poll