POLITIKË /

Shumica e deputetëve të caktuar nga kryetarët dhe “dhimbje koke” për diasporën, çfarë përmban Kodi Zgjedhor i PS dhe PD

Listat për deputetë nuk do të jenë të hapura dhe diaspora pritet të hasë vështirësi në votimin për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.

Shkruar nga Versus

Shumica e deputetëve të caktuar nga kryetarët dhe “dhimbje

Sot mbahet seanca plenare e Kuvendit e cila pritet të zgjasë edhe gjatë ditës së nesërme ku do të hidhet për votim edhe drafti i ri i dakordësuar mes PS dhe PD për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Drafti u miratua dje në mbledhjen e komisionit të Ligjeve me 19 vota pro dhe vetëm një kundër, deputetin Enkelejd Alibeaj.

Por çfarë përmban konkretisht drafti dhe a janë listat e deputetëve të hapura ashtu siç kërkonin deputetët e opozitës?

Kandidatët në listat për deputetë

Ndryshe nga sa pritej as këtë herë listat e kandidatëve për deputetë nuk do të jenë plotësisht të hapura, duke ia lënë në dorë kryetarit të partisë të zgjedhë 1/3 e kandidatëve ndërsa votuesit do kenë mundësinë të zgjedhin me votë pëlqyese më pak se një të tretën e kandidatëve. Për ta sqaruar më mirë, marrim si shembull disa qarqe të vendit në situata hipotetike për zgjedhjet parlamentare.

Në Kukës, ku dalin në total 3 mandate deputetësh, partia mund të caktojë mandatin e parë ndërsa zgjedhësit mund të zgjedhin të dytin. Por nëse në këtë qark marrin nga një mandat tre parti të ndryshme, atëherë rezulton që të tre kandidatët për deputetë të jenë të emëruar nga kryetari dhe jo të zgjedhur nga qytetarët me lista të hapura.

Në Tiranë, ku dalin 36 mandate, 12 të parët e listës së çdo partie janë të caktuar nga kryetari dhe e kanë të sigurt një vend në parlament. Pra nëse marrim si referim rezultatin e zgjedhjeve të kaluara ku PS mori 18 mandate në Tiranë dhe PD 15 mandate, i bie që me formulën e re, vetëm 9 deputetë në total të jenë zgjedhur nga votuesit.

Me këtë formulë, rezulton në fakt se listat nuk janë hapur dhe se 70% e kandidatëve për deputetë do të jenë të paracaktuar nga kryetarët. Këtë herë është hequr edhe pragu i herësit prej 10 mijëvotash të vendosur në zgjedhjet e vitit 2021, të cilin vetëm 3 deputetë arritën ta thyenin duke marrë vendin e kandidatëve të paracaktuar në listë. PS kërkoi që pragu të ishte 7 mijë vota, por u hoq me kërkesë të PD.

Kjo formulë hasi kundërshtime edhe gjatë diskutimeve në komisionin e ligjeve, ku kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, njëkohësisht deputet tha se kjo formulë e zgjedhjes së deputetëve u përshtatet atyre që nuk e kanë besimin e qyetarëve. Ai kërkoi që t’u lihet në dorë partive nëse do të caktojnë 1/3-ën e kandidatëve në listat për deputetë dhe të mos jetë e detyrueshme.

Shumica e deputetëve të caktuar nga kryetarët dhe “dhimbje
Mediu dhe Lapaj në Komisionin e Ligjeve

“Nëse do ta lërë listën tërësisht të hapur ta lërë të hapur. Në kushtetutë thuhet jo më pak se 1/3, është çështje e vullnetit të partisë. Mendoj që alternativa e lënies së hapur të kësaj mundësie, duke marrë parasysh edhe ato faktorë që u thanë për gjeneralët dhe ushtarët. Partitë që duan ta mbyllin listën për ata, dhe pastaj të lënë mundësi për të rinjtë që vijnë e konkurrojnë. Se kanë besimin e qytetarëve që u japin votën. Nëse flasim për demokraci përfaqësuese ne përfaqësojmë jo thjesht partitë, por vullnetin e qytetarëve. Të paktën të jete e mundshme, të lihet fakultative për çdo subjekt politik, kush do ta ketë të hapur ta ketë të hapur”- tha Mediu.

I të njëjtit mendim u shpreh edhe drejtuesi i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj i cili tha se me këtë formulë partitë politike kanë si synim të fusin të parët në lista të sigurta kandidatë të cilët nuk marrin vota.

“Ju mund ta lini opsionale, pra meqë kushtetuta e parashikon 2/3 e hapur. Ta lini në dorë të partisë, pra të jetë partia që zgjedh nëse do ta mbyllë një të tretën, pra që të fusni në lista të sigurta njerëz teknikë por nuk marrin shumë vota, dhe të lini opsion për partitë e tjera që nëse duan t’i lënë 100% të hapura, kjo adreson të gjitha shpresat e shoqërisë”- u shpreh Lapaj.

Vota e Diasporës

Emigrantëve shqiptarë u është vështirësuar pjesëmarrja në votime me draftin e dakordësuar mes PS dhe PD. Kështu, ndryshe nga shqiptarët që jetojnë brenda vendit, diaspora do të duhet të pararegjistrohet me kërkesë për të ushtruar të drejtën e votës dhe ky regjistrim do jetë i vlefshëm vetëm për këto palë zgjedhje, duke u caktuar emigrantëve detyrimin për t’u çregjistruar si votues rezidentë brenda vendit pasi të kenë hedhur votën për zgjedhjet e 2025-ës.

“Zgjedhësi që ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të rregjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit. Shtetasit shqiptarë që janë rregjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit, pas përfundimit të procedurës së rregjistrimit sipas këtij neni, ç'rregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit  ” thuhet në projektligj.

Ky është një disavantazh i madh për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të cilët duhet fillimisht të bëjnë kërkesë për regjistrim në zgjedhje dhe pasi të votojnë të çrregjistrohen nga lista e votuesve rezidentë në vend, duke e lënë të paqartë si veprohet nëse një pjesë e tyre vendosin të kthehen në atdhe më vonë për të jetuar.

Procesi i regjistrimit të emigrantëve që jetojnë jashtë vendit do të nisë 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe do të përfundojë 63 ditë para datës së zgjedhjeve ,kur KQZ do të publikojë listën e plotë të zgjedhësve që do votojnë nga diaspora. Fleta e votimit për ta do të jetë njëjtë si ajo në Shqipëri dhe do t’u dërgohet me postë nga KQZ në adresën e deklaruar prej tyre. Pasi të votojnë ata me shpenzimet e tyre, e dërgojnë sërish me postë drejt KQZ. Votat më pas do të numërohen në komisionin qendror të zgjedhjeve sipas qarqeve ku emigrantët rezultojnë rezidentë në Shqipëri.

Mbetet për t’u parë sesa i vlefshëm do jetë realisht për shqiptarët ky projektligj tejet i debatuar./ Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: