
Ish zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj, i cili prej 2023-it është në arrati, ka reaguar pas thirrjes që kreu i SPAK, Altin Dumani bëri sot gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku e ftoi ish-zëvendësministrin e Ramës të bëhet “bashkëpunëtor” i drejtësisë, lidhur me akuzat që Ahmetaj ka bërë publikisht ndaj ish-kolegëve të tij socialistë.
Në një lidhje telefonike për Syri Tv, Ahmetaj tha se nuk ka për çfarë të bëhet bashkëpunëtor, pasi bashkëpunëtor bëhet ai që ka kryer një krim.
“Edhe në teknikën ligjore, bashkëpunëtor quhet dikush që ka kryer krim. Siç ka rëndomë Altin Dumani disa dumanë që i ka rëndomë aty. Unë nuk kam pse të jem bashkëpunëtor se nuk kam kryer asnjë krim. Nuk po flas për prezumimin e pafajësisë, që ai i drejtohet parlamentit, unë jam shembull jo i dy, por i dhjetë standardeve”, deklaroi Ahmetaj.
Më tej tha se ka qenë përballë Dumanit kur hetohej prej tij, por kreu i SPAK “nuk i bëri asnjë pyetje”. Ahmetaj e akuzoi Dumanin për standarde të shumëfishta dhe se merr urdhra nga qeveria.
“E dyta, unë kam qenë në SPAK. Altin Dumani nuk ka guxuar të më bëjë asnjë pyetje. E ka marrë me zell dhe dhunë çështjen time, dhe erdhi aty dhe nuk më bëri asnjë pyetje. Për çfarë jam bashkëpunëtor unë? Për çfarë krimi? Reforma në drejtësi ka si strumbullar të dështimit, Altin Dumanin që është jo më me dy standarde, por sipas qejfit dhe urdhrit politik. Kush është armik i Ramës arrestohet...''- tha Ahmetaj mes të tjerash. Versus.al

