POLITIKË /

S'ka më shitje në gropë dhe klering! Rama prezanton modelin e ri të ndërtimeve: Formula është e qartë

Kryeministri theksoi se njerëzit që blejnë një njësi në fazën e parë të projektit duhet të konsiderohen investitorë, jo thjesht blerës

Shkruar nga Versus

 

S'ka më shitje në gropë dhe klering! Rama prezanton modelin

Kryeministri Edi Rama ka shpallur një qasje të re për financimin e sektorit të ndërtimit në vend, duke kërkuar largim nga modelet tradicionale të parashitjes dhe kleringut, dhe orientim drejt instrumenteve të reja financiare, si fondet investuese dhe bashkëfinancimet nga kapitali privat, vendas e ndërkombëtar.

Nuk mund të vazhdojmë më me modele të tejkaluara si parashitja dhe kleringu. Ato mund të kenë funksionuar dikur, por sot kemi mundësi shumë më të mëdha për të garantuar financim të qëndrueshëm e të sigurt për projektet e ndërtimit”, deklaroi Rama gjatë një takimi me përfaqësues të kompanive ndërtuese.

Investitori, jo më blerës: Modeli i ri i ndërtimit

Kryeministri theksoi se njerëzit që blejnë një njësi në fazën e parë të projektit duhet të konsiderohen investitorë, jo thjesht blerës:

“Formula është e qartë: paratë që vijnë nga një individ apo fond në fillim të projektit janë investim, jo blerje. Ato duhet të bazohen në garanci reale financiare, jo në premtime të pambuluara”, sqaroi ai.

Ky model sipas tij rrit sigurinë e investimeve dhe vlerën e produktit final, sidomos kur apartamentet shiten pas përfundimit të plotë të projektit dhe jo në fazën e themeleve.

Standard i ri: Koha dhe cilësia, thelbësore për fondet ndërkombëtare

Rama paralajmëroi se fondet ndërkombëtare, të gatshme të investojnë me shuma që variojnë nga 100 milionë deri në disa miliardë euro, kërkojnë garanci të forta për cilësinë dhe respektimin e afateve:

Një projekt që nuk respekton kohën e ndërtimit është i dështuar. Një gabim i vetëm mund të mbyllë derën për investime të tilla në Shqipëri për 20 vjet.”

Arkitektët shqiptarë do kenë përgjegjësi të plotë për projektin

Sipas kreut të qeverisë, arkitektët do të mbajnë përgjegjësi të plotë deri në përfundimin e objektit, ndërsa paralajmëroi për përfshirjen e ekspertizës së huaj për të ngritur nivelin e projekteve:

Arkitektura e mirë mund të kthehet në motor ekonomik. Nëse i realizojmë projektet siç duhet, Shqipëria mund të bëhet destinacion turistik arkitektonik në Europë.” /Versus.al

Tags:

rama prona

Poll