
Kuvendi mblidhet sot në orën 10:00 për të zhvilluar seancën plenare me qëllim miratimin e projektrezolutës së socialistëve për të shpallur Iranin “shtet financues të terrorizmit”, duke u bërë vendi i dytë në botë pas SHBA që e bën një gjë të tillë që prej viteve ’90.
Në këtë projektrezolutë të cilën e ka paralajmëruar më herët kryeministri Edi Rama, i kërkohet qeverisë që pas miratimit të shpallë organizata terroriste Hezbollahun dhe Pasdaranët.
Partia Demokratike ka vendosur të bojkotojë seancën duke e quajtur fasadë dhe agjendë personale të Ramës.
“Kjo nuk është një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit, pa asnjë rend dite të miratuar apo të shpallur zyrtarisht, si dhe në shkelje të procedurave minimale që garanton Rregullorja e Kuvendit. Opozita refuzon të bëhet pjesë e kësaj fasade parlamentare nesër dhe zgjedh të jetë aty ku duhet të jetë çdo opozitë e përgjegjshme: pranë qytetarëve. Prioriteti ynë këtë javë mbetet takimi me qytetarët në të gjithë vendin dhe mobilizimi për protestën e 22 marsit”- u shpreh kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi.
Këtij qëndrimi iu përgjigj Taulant Balla i cili tha se kjo rezolutë është një nevojë urgjente.
“Sipas tyre nevoja e menjëhershme e një qëndrimi të Shqipërisë përkrah SHBA ndaj veprimeve terroriste të Iranit, qenka një agjendë personale. Seriozisht e mendoni këtë, apo ta kuptojmë si një lapsus?! Sonte mund t’ju them se sqarimet se pse kjo Rezolutë është urgjente do t’i japim nesër në Konferencën e Kryetarëve dhe urojmë që deri nesër keni ende kohë të reflektoni”, tha ai. Versus.al

