Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e çështjes penale nr. 161 të vitit 2023, në ngarkim të pesë shtetasve, të dyshuar për përfshirje në korrupsion zgjedhor dhe moskallëzim krimi gjatë zgjedhjeve vendore në Bashkinë Rrogozhinë.
Në përfundim të hetimeve, SPAK ka ngritur akuza ndaj shtetasve Limon Shala, Fatmir Thaçi, Florant Saraçi, Engjell Cara dhe Shkëlqim Hoxha, ky i fundit ish-kandidat i PD për kryetar bashkie në Rrogozhinë.
Sipas SPAK, shtetasit Engjell Cara, Limon Shala, Fatmir Thaçi dhe Florant Saraçi janë vënë nën akuzë për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim dhe në më shumë se një rast, bazuar në nenet 328, 25 dhe 50/h të Kodit Penal.
Ndërkohë, Shkëlqim Hoxha, ish-kandidat për Bashkinë Rrogozhinë nga radhët e Partisë Demokratike, akuzohet për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, në bazë të nenit 300 të Kodit Penal.
Si u realizua skema e korrupsionit sipas hetimeve
Nga hetimet ka rezultuar se të pandehurit kanë siguruar dhe ofruar bileta udhëtimi të parapaguara për persona të ndryshëm në të paktën 64 raste, me qëllim që ata të merrnin pjesë në votime dhe të votonin në favor të kandidatit Shkëlqim Hoxha.
SPAK thekson se vetë Hoxha ka qenë në dijeni të kësaj skeme, duke ditur që Fatmir Thaçi dhe Limon Shala ishin të përfshirë drejtpërdrejt në ofrimin e biletave për votuesit, por nuk e ka kallëzuar veprimtarinë tek autoritetet, duke shkelur ligjin.
Bashkimi i çështjeve dhe origjina e hetimeve
Çështja penale nr. 161/2023 është bashkuar me çështjen nr. 162/2023, duke u trajtuar si një procedim i vetëm për shkak të lidhjes mes fakteve dhe personave të përfshirë.
Hetimi është nisur mbi bazën e referimeve nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, që sinjalizuan shkelje të mundshme gjatë procesit zgjedhor të vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë.







