
Lulzim Basha teksa komentoi vendimin e marrë nga SPAK për të nisur hetimet mbi “21 janarin” tha se ishte në dispozicion të drejtësisë për të dhënë përgjigje mbi këtë ngjarje ku u vranë 4 protestues pasi asokohe ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm.
Ai mohoi kategorikisht që të kishte gisht në fshirjen e serverave të kamerave të sigurisë, ndërsa nuk pranoi të jepte koment mbi rolin e Berishës në atë ngjarje.
Konferenca me gazetarët:
Basha: SPAK të hetojë gjithçka në mënyrë të paanshme dhe profesionale. Mbetem në dispozicion të çdo akti të drejtësisë për zbardhjen e plotë të 21 janarit.
Pyetje: A keni lidhje me fshehjen e serverave dhe a keni dhënë urdhër për të qëlluar ndaj protestuesve?
Basha: Jo dhe jo!
Pyetje: Roli i Berishës dhe të shtënat ndaj protestuesve…
Basha: Kjo është konferencë për shtyp jo seancë në GJKKO. SPAK-u të lihet të bëjë punën e vetë.
Pyetje: Druheni të flisni për Berishën, a po bashkëpunoni me të fshehtas?
Basha: Në asnjë moment jo, këto janë marrëzira pa asnjë pikë të vërtete brenda që keqinformojnë publikun. Ndarja ime me Berishën është në shtator të vitit 2021. Versus.al








