POLITIKË /

Takimi Starmer-Rama në Tiranë, analiza e 'The Times': Shumë zhurmë për asgjë

Debutimi i kryeministrit me homologun shqiptar nuk shkoi sipas pritshmërive, sipas The Times

Shkruar nga Versus

Takimi Starmer-Rama në Tiranë, analiza e  'The Times':

The Times, Tom Peck- Starmer, 1.73 metra i gjatë, hodhi një vështrim nga lart drejt Ramës. Rama, 2.01 metra i gjatë, hodhi një vështrim nga poshtë drejt Starmerit. Gjithçka kishte shkuar keq që në fillim. Cleese dhe Corbett po bënin më të mirën, por e gjithë skeça funksionon vetëm kur ke Ronnie Barker-in në mes.

Më keq se kaq, kjo ishte paraqitja e parë publike e çiftit Starmer-Rama, dhe të dy pjesëtarët e duetit kishin harruar tekstin rëndë.

Sir Keir Starmer kishte bërë një bujë të madhe për faktin që ishte kryeministri i parë britanik që vizitonte zyrtarisht Shqipërinë.

Takimi i tij me kryeministrin shqiptar dhe ish-basketbollistin profesionist Edi Rama ishte takimi i parë dypalësh në nivel të lartë mes dy vendeve.

Ai gjithashtu nuk kishte fshehur aspak, që një natë më parë, se pika kryesore e këtij takimi do të ishte diskutimi për “zgjidhje migracioni” mes dy vendeve.

Zgjidhjet që ai kishte në mendje përfshinin krijimin e “qendrave të kthimit” në vende të treta, ku azilkërkuesit që kanë shteruar të gjitha rrugët ligjore të apelimit mund të dërgohen për të shmangur vonesat e mëtejshme.

Atëherë, përse po qëndronte këtu, në mëngjesin pasardhës, në skenën e Tiranës, në mes të një konference të përbashkët për shtyp, duke dëgjuar Edi Ramën teksa përjashtonte kategorikisht çdo mundësi që kjo të ndodhte ndonjëherë? Kjo nuk ishte mënyra si ishte parashikuar të zhvillohej shfaqja Starmer-Rama.

Çfarë kishte shkuar keq? Mos vallë... ishte një trick of the night (hile e natës)? Kryeministri përpiqej të buzëqeshte, por atmosfera ishte e rëndë dhe e thatë. Zëra të çuditshëm — në këtë rast, ata shqipfolës — thoshin gjëra që ai nuk i kuptonte. Nëse ende nuk e keni kuptuar se çfarë po ndodh këtu, atëherë natyrisht kërkoj ndjesë — kjo ishte një verë mizore, mizore.

Siç dihet tashmë, Rama ka bërë një marrëveshje me Italinë për të pritur një qendër kthimi për azilkërkuesit, por këtu, ai e bëri të qartë me siguri të plotë se nuk do të kishte asnjë marrëveshje tjetër të ngjashme.

“Kam qenë shumë i qartë që në ditën e parë,” tha Rama. “Ky proces ka qenë një rast i vetëm me Italinë. Na janë drejtuar disa vende të tjera me të njëjtën kërkesë dhe kemi thënë jo, sepse jemi besnikë ndaj martesës me Italinë, dhe gjithçka tjetër është vetëm dashuri.”

Rama nuk arriti të përmendte se një nga arsyet pse nuk kërkon të bëjë më marrëveshje të tilla mund të jetë edhe fakti që një gjykatë në Romë e ka shpallur marrëveshjen ekzistuese të paligjshme, dhe të gjithë migrantët që ishin dërguar nga Italia në Shqipëri duhej të ktheheshin sërish në Itali — duke i kthyer ata, ndoshta, në emigrantët e parë dy herë të paligjshëm në botë, dhe me siguri të parët që kanë emigruar në mënyrë të paligjshme, dhe më pas kanë imigruar sërish në mënyrë të paligjshme. Por, për fatin e tyre të keq, dy të këqija nuk bëjnë gjithmonë një të mirë. Ndonjëherë thjesht përfundon aty ku e ke nisur.

Starmer shtrëngoi buzët dhe shtyu grushtin mbi foltore. Dikush — ndoshta dikush në atë sallë — duhej të dinte përse kishte fluturuar drejt Shqipërisë kaq herët, ndërkohë që dihej pothuajse me siguri se ajo për të cilën kishte ardhur, ishte përjashtuar paraprakisht.

“Jemi në bisedime me disa vende për qendrat e kthimit,” tha ai, me një ton që papritur u bë më i ngadaltë, më i sigurt, sikur zëri i tij i qetë dhe i brendshëm të mund të qetësonte çmendurinë surreale të momentit.

“Jemi në këto bisedime dhe, në kohën e duhur, do të jem në gjendje t’ju jap më shumë detaje në lidhje me këtë.”

Fatkeqësisht, koha e duhur nuk ishte tani — jo në konferencën e tij të madhe për shtyp me të vetmin lider europian që ka arritur ndonjë marrëveshje të këtij lloji.

Atëherë, ku do t’i hapë Starmer këto qendra për kthimin e azilkërkuesve? Vendndodhjet e përfolura janë Bosnja, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Pra, të gjitha vendet rreth Shqipërisë — por jo Shqipëria.

E vetmja gjë që mund të bëjmë është të presim kohën e duhur, kur ai do të japë më shumë detaje në lidhje me këtë. Dhe kur të ndodhë kjo, kryeministri mund të shpresojë që t’i shkojë pak më mirë sesa kësaj here./Përshtati në shqip Versus.al

Poll