Për shkak të mungesës së Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, seanca plenare e parashikuar për këtë të enjte u shty për të hënën, 17 qershor, në orën 13:00. Vendimi u mor pas Konferencës së Kryetarëve, ku pas debatit, mazhoranca votoi për shtyrjen e seancës, duke rrëzuar kërkesën e opozitës që seanca të mbahej sipas kalendarit.
Spiropali ndodhej në një vizitë zyrtare në Ukrainë, dhe mazhoranca e konsideroi të domosdoshme praninë e saj për drejtimin e seancës, ndryshe nga qëndrimi i opozitës që argumentoi se seanca mund të drejtohej nga nënkryetarët e Kuvendit.
Seanca e së hënës do të jetë e kufizuar në rend dite – do të diskutohet vetëm projektligji për performancën energjetike të ndërtesave dhe do të bëhet miratimi i procesverbalit të seancës së fundit.
Kjo është një nga seancat e fundit të legjislaturës aktuale, e cila përfundon më 8 korrik. Në shtator do të mblidhet parlamenti i ri, pas zgjedhjeve të 11 majit. /Versus.al







