POLITIKË /

“Të jenë 20 metra larg”, Rama: Ka nisur çlirimi i rrugëve nga rraqet e llojllojshme të bizneseve

Afati i fundit që u është lënë bizneseve për të hequr materialet që kanë pranë rrugëve, është 31 korriku.

Shkruar nga Versus
“Të jenë 20 metra larg”, Rama: Ka nisur çlirimi i
Kryeministri Edi Rama dhe foto e publikuar prej tij nga aksioni i heqjes së materialeve pranë rrugëve

Krahas aksionit për lirimin e hapësirave publike në gjithë vendin, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se njëkohësisht po punohet për pastrimin e rrugëve anash të cilave ka biznese shumë pranë distancës që lejohet.

Rama u lë afat deri më 31 korrik pronarëve të bizneseve që të largojnë çdo material që ndodhet më pak se 20 metra nga aksi i rrugës.

“Ka nisur edhe përpjekja për çlirimin e buzërrugëve kombëtare nga rraqet e llojllojshme të bizneseve anë rrugës. Bizneset në anë të segmenteve rrugore kanë afat deri në 31 korrik për të larguar vetë çdo lloj materiali që ndodhet më pak se 20 m nga aksi i rrugës, që është edhe distanca ligjore e sigurisë - përjashtuar objektet e ndërtuara me leje, po jo materialet në oborret e tyre të përparme, gardhet e të cilëve po ashtu do të duhet të tërhiqen në maksimumin e mundshëm, sipas projektit që do t’u dorëzohet më tutje nga ARRSH”- shkruan Rama.

Me anë të një fotoje të publikuar nga një shembull sesi biznesi ndodhet shumë pranë rrugës, Rama shkruan se ata të cilët nuk lëvizin materialet e tyre brenda afatit të dhënë, do të kenë masa ndëshkimore.

“Mbajtja buzë rrugëve e rraqeve si këto në foto apo të tjera, nga materialet ndërtimore tek inertet dhe makinat e vjetra e me radhë, përtej afatit të paralajmëruar do të shoqërohet me masa të rënda ndëshkimore sipas parashikimeve ligjore në fuqi

Tanimë Shqipëria po troket në derën e Bashkimit Europian dhe kjo fazë kalimtare e ushtrimit të aktivitetit ekonomik në dëm të komunitetit e të mjedisit në tërësi, po edhe të sigurisë së qarkullimit në rrugët kombëtare në veçanti, duhet të konsiderohet e mbyllur. Nga të gjithë dhe me mirëkuptimin më të madh kombëtar, për Shqipërinë 2030 në BE”- përfundon Rama në shkrimin e tij. Versus.al

Poll