Deputeti demokrat, Lulzim Basha ka deklaruar se të premten në Kuvend do të votohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor të cilat sipas tij do të mbyllin listat e deputetëve. Basha tha se kishte informacione të sigurta se ka marrëveshje mes Ramës dhe Berishës për votimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
Ai u kërkoi bashkëpunim edhe deputetëve që tashmë e kanë braktisur, duke u bërë thirrje që të mos frikësohen nga listat e hapura dhe të mos vareshin nga Sali Berisha.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Sipas informacioneve të sotme, dyshja e tangos e ka mbyllur pazarin që me sebepe të neveritshme të bashkojnëvotat për të kaluar jashtë vëmendjes së publikut këtë atentat kushtetues që së pari u shërben Ramës e Berishës për të konsoliduar kontrollin mbi vartësit e tyre. Njëri ndodhet në arrest shtëpie, tjetri sipas informacioneve është subjekt i disa hetimeve për korrupsion. Hapi i tyre i fundit është goditja e drejtësisë dhe e SPAK-ut.
Na ndajnë vetëm pak ditë nga mishërimi i këtij pati të tretë, këtij pazari për të rimbyllur listat e deputetëve, për t’ju mohuar juve të votoni atë që doni në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Pas lirimit të të korruptuarve i bashkojnë sërish votat për t’ju trajtuar juve si dele dhe të pranoni cilin e pafund të tranzicionit të stërgjatur.
Edi Rama do jetë edhe 4 vite kryeministër me kusht që Berisha të mbajë peng opozitën shqiptare, Kjo është prova e degradimit total e këtyre dy individëve dhe personave që u shkojnë pas duke u vënë kazmën familjeve shqiptare.
U drejtoj këtë mesazh deputetëve të dalë me votat e PD. 4 muaj më parë paralajmërova një pjesë prej jush se duke votuar për amnistinë po votoni për të liruar të korruptuarit e Ramës. Një pjesë prej jush e trajtuan këtë thirrje me syzet e nxira të interesit personale me të cilin masin të sotmen dhe te nesërmen e tyre. Votuan verbërisht për lirimin e të korruptuarve të Ramës. Një pjesë u shfajësuan duke thënë se nuk e dinin.
Sot, dy ditë para sjelljes për votim të pazarit të fundit të Ramës e Berishës për të rimbyllur listat, ua drejtoj këtë thirrje publikisht, e di që këto 3 vite nuk ka pasur mundësi të krijojnë komunikim me votuesit. Por kurrë nuk është vonë për të bërë gjënë e duhur. E di se një pjesë prej jush e kanë ankthin e listave të hapura. Shqiptarët nuk do ua falin nëse votoni për të shkelur vullnetin e tyre.
Ndërsa në përfundim të konferencës Basha bëri me dije se sot do të dorëzohej rekursi për vendimin e gjykatës së Apelit për t'i dhënë Berishës vulën e Partisë Demokratike duke e njohur atë si kryetar. Versus.al








